
Kryedemokrati Sali Berisha u pyet nga gazetarët lidhur me protestën e mbajtur në Zvërnec dy ditë më parë dhe dhunën skandaloze ndaj protestuesve. Ai tha se e dënon aktin ndaj qytetarit që u mor zvarrë nga rojet private dhe mosreagimin e policisë.
“Në qoftë se është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj atë. Ai ishte rrëmbim, në duart e policisë, dhe e dënoj atë si një akt të shëmtuar të policisë së shtetit”- tha Berisha.
Por më tej shtoi se nuk ka asnjë dijeni për projektin, megjithatë PD mbështet fuqimisht investimet e huaja.
“Së dyti, nuk kam asnjë faqe, asnjë fletë, asnjë gjë të atij projekti. Megjithëse t'ju them këtu, e kam ndjekur me shumë interes të gjitha publikimet që janë bërë.
Së treti, meqenëse e doni këtu, Partia Demokratike është parti që mbështet fuqimisht investimet e huaja. Dhe kjo parti në pushtet, ja këtë tani ju kërkoj ta mbani shënim, ka patur një ligj. Një ligj i cili zgjidhte në mënyrë të plotë dhe totale çështjen e pronësisë.
Cili ishte ligji? Ligji thotë këtë: në rast se qeveria miraton një projekt të një investitori të huaj, i cili është bazuar në dokumente origjinale shtetërore pronësie, kadastre, dokumente origjinale, çdo problem që lind pas miratimit të qeverisë, qeveria i përgjigjet palës me çmimin e tregut”- shtoi kryedemokrati. Versus.al

