POLITIKË /

Vetëvendosja e kritikoi se nxiti krijimin e Gjykatës Speciale, Rama: Më paskeni kushtuar një çarçaf të gjatë

Rama ka sqaruar se nuk do të jetë i pranishëm në protestën që mbahet në mbështetje të UÇK.

Shkruar nga Versus

Vetëvendosja e kritikoi se nxiti krijimin e Gjykatës Speciale, Rama:

Pasi Lëvizja Vetëvendosje i kërkoi Ramës të shprehte pendesë që kishte udhëtuar me helikopter për të nxitur krijimin e Gjykatës Speciale në Kosovë, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit të Shqipërisë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, Rama shkruan se ai e ka denoncuar kudo farsën ndaj Hashim Thaçit. Ndërsa thekson se nuk është në “garë” me Lëvizjen Vetëvendosje, Rama thotë akuzon partinë e drejtuar nga Kurti se do ta donte përjetësisht Thaçin në Hagë.

Sipas tij, Gjykata Speciale u krijua për trafikim organesh dhe jo “për të marrë peng” ish-presidentin Hashim Thaçi.

Reagimi i plotë i Ramës:

Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim.

Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve - kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë - i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës.

Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i  protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj. Versus.al

Poll