POLITIKË /

Protesta për UÇK, Vetëvendosja: E mbështesim, por Rama të pendohet! Erdhi me helikopter të na bindte për Gjykatën Speciale

Në reagim thuhet se qeveria e Shqipërisë ka në dorë më shumë se aq dhe se mund ta adresojë problemin në institucione ndërkombëtare, jo thjesht të thërrasë protestë në Tiranë.

Shkruar nga Versus

Protesta për UÇK, Vetëvendosja: E mbështesim, por Rama

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë në mbështetje të protestës mbarëkombëtare që pritet të mbahet në Tiranë të premten në orën 17:00. Duke e konsideruar luftën e UÇK -së si të drejtë dhe të domosdoshme, në reagimin zyrtar thuhet se për krime lufte duhet të gjykohet vetëm Serbia dhe jo ish-liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli apo Jakup Krasniqi.

Mirëpo mes të tjerash, Vetëvendosja kërkon që edhe politikanët shqiptarë që e mbështetën krijimin e Gjykatës Speciale që prej 5 vitesh mban në paraburgim ish-liderët e UÇK-së, të kërkojnë falje dhe të shprehin pendesë.

Mes tyre përmendet vetë kryeministri Edi Rama i cili ka bërë thirrje së fundmi për protestë mbarëkombëtare në Tiranë. Sipas Vetëvendosjes, Rama asokohe shkoi urgjentisht në Kosovë me helikopter për të bindur palët politike që të votonin pro Gjykatës Speciale.

“Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”- thuhet në deklaratë.

Po ashtu u kërkohet institucioneve të Shqipërisë që këtë çështje ta ngrejnë zyrtarisht në institucione ndërkombëtare, sepse e kanë këtë gjë në dorë dhe jo thjesht të thërrasin protesta në Tiranë.

Reagimi i plotë i Vetëvendosjes së kryesuar nga kryeministri Albin Kurti:

Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në krah të të gjithë qytetarëve që protestojnë e kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë. Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar.

Kujtojmë se Gjykata Speciale nuk erdhi vetvetiu, por nisi që në vitin 2008 nga një rezolutë e propozuar në Këshillin e Evropës nga kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, por që u miratua si rezolutë me propozim të senatorit Dick Marty në vitin 2011.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Në anën tjetër, pretendimi i Prokurorisë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup kriminal është i pasaktë dhe i padrejtë. UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla. Përkundrazi, për krime të luftës duhet të gjykohet Serbia, ajo është shkaktarja e gjenocidit dhe krimeve masive e sistematike ndaj popullit të Kosovës.

Mirëpo, për ecjen tonë të sinqertë përpara si shtet e si komb duhet me patjetër të reflektojmë mbi qëndrimet tona karshi kësaj Gjykate në kohën kur u themelua. Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate.

Por, Lëvizja VETËVENDOSJE!, si atëherë më 2015, si sot më 2025, është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën dhe e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë.

Në anën tjetër, institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë.

Po ashtu shtetet mike të Kosovës që tashmë gëzojnë anëtarësi në këto organizata, duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë dhe për të çuar përpara drejtësinë. Njëjtë siç duhet bërë më shumë në këto forume për njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë e në mbarë Ballkanin. Versus.al

Poll