Shembja e objekteve të paligjshme ka nisur kudo dhe nuk është një aksion i përkohshëm, por një proces që do të vazhdojë deri në eliminimin e këtij fenomeni, paralajmëroi sërish sot kryeministri Edi Rama.
Në një postim në rrjete sociale kryeministri Rama ka publikuar operacionin e nisur sot në Kepin e Rodonit, Bashkia Durrës, ku një tjetër zonë natyrore e mbrojtur është shfrytëzuar për qëllime fitimi përmes ndërtimeve të paligjshme.
''Shembja e objekteve të paligjshme, e cila ka nisur kudo, nuk është një aksion, po një proces që jo vetëm s’do të ndalet deri në eliminimin e këtij fenomeni, por edhe do të shoqërohet ditët në vijim me paketën e re të masave për tkurrjen e këtij fenomeni, duke rritur forcën goditëse të ligjit mbi fajtorët dhe personat përgjegjës të nivele të ndryshme, përfshirë edhe “symbyllurit” në inspektoriate, polici e me radhë
Këto pamje janë nga operacioni i nisur sot në Kepin e Rodonit, Bashkia Durrës, ku një tjetër mrekulli e natyrës është abuzuar për qëllime fitimi nga ndërtime të paligjshme'' shkruan kryeministri në postim.







