Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli sot për vizitën e përfaqësueses së BE, Kaja Kallas dhe konferencën e saj me kryeministrin Edi Rama. Sipas Berishës, shefja për zgjerimin e BE, u distancua nga pretendimet e retorika e Ramës i cili vazhdimisht përsërit se PS është e vetmja parti politike që e anëtarëson vendin në BE.
“Zonja Kallas tha se Shqipëria ka ambicie. Ambicie, që është mashtrimi i Edi Ramës. Por kjo është një rrugë e vështirë që kërkon reforma. Ajo nuk investoi asnjë nanogram në zotimet e Edi Ramës. I tha edhe tjetrën, që është rrugë gjithëpërfshirëse.
Kurse, Edi Rama u përpoq të asociojë mashtrimin e tij me praninë e përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme të BE, zonjës Kallas. Por ajo mbajti vendin e vet dhe qëndrimin e vet. Me një fjalë, ajo u tha shqiptarëve, unë nuk kam punë me ato që thotë ky, këto janë ambiciet e tij. Ato janë mashtrimet e tij me fjalë të tjera, por ajo nuk mund të thoshte mashtrime se e kishte në krah”- u shpreh Berisha.
Më tej kreu i opozitës tha se PD do të ndërmarrë çdo reformë të nevojshme në mënyrë që të plotësohen të gjitha kushtet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Ndaj dhe unë me këtë rast e garantoj përfaqësuesen e lartë të BE se kjo forcë politikë, që ka qenë e faktuar lokomotivë e të gjitha proceseve integruese në BE dhe NATO, qëndron e përqendruar, e gatshme, e vendosur që rrugën drejt BE ta ndërtojë mbi bazën e meritave, reformave, dinjitetit të vendit, të presë me gërshërët e ligjit dhe zero tolerancë lidhjet e krimit me politikën”- shtoi kryedemokrati. Versus.al








