Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një konferencë për shtyp së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e cila ndodhet në Tiranë për forumin e investimeve të BE në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
E pyetur për vonesat në procesin e anëtarësimit, Von der Leyen tha se shpejtësia me të cilën po hapen grupkapitujt e negociatave është impresionuese.
“Ne gjithmonë themi me të drejtë që zgjerimi bazohet në merita dhe këto merita të Shqipërisë janë të dukshme, është proces normal i hapjes së grupkapitujve në mënyrë që të bëheni pjesë e BE. Për mua është impresionuese të shoh shpejtësinë e grupkapitujve të hapur. Këto reforma janë për shqiptarët që të forcojnë demokracinë”- tha presidentja e KE.
Ndërsa kreu i qeverisë Edi Rama tha se ishte besimplotë që në 2027-ën të arrihet objektivi i vendosur edhe gjatë fushatës elektorale. Ndërsa sa i takon deklaratave të tij vite më parë për burokracinë në BE, Rama tha se nuk tërhiqet nga këto deklarata pasi asokohe disa vende po pengonin procesin.
“Pyetja që mu drejtua mua ishte mbresëlënëse për faktin që ne dhe unë personalisht jo vetëm që e besoj këtë që them, por bazuar mbi këtë besim ne zhvilluam para pak kohësh një fushatë të tërë zgjedhore ku u kërkuam shqiptarëve të na japin mbështetjen, të na japin një mandat të fortë për Shqipërinë 2030 në BE. Kështu që në këtë kuptim pyetja është drithëruese, ndërsa përsa i përket çfarë kam thënë unë për BE, tanimë ka një kohë të gjatë që i kam thënë ato që kam thënë dhe nuk u heq asnjë presje pasi në atë periudhë KE i propozonte këshillit të hapte negociatat dhe këshilli refuzonte për shkak të 2 a 3 vendeve që bëheshin pengesë e këtij procesi. U bë disa kohë që jetojmë në realitet tjetër në raportet e Shqipërisë me BE dhe prandaj pyetja ishte për t’u mbajtur mend sepse sot ne jemi në një situatë ku kemi hapur 5 nga 6 grupkapitujt e negociatave për 11 muaj. Është kohë rekord për nga shpejtësia. Ne i kemi bërë detyrat tona se në Bruksel nuk të dhuron njeri asgjë”- deklaroi Rama mes të tjerash duke theksuar se nuk mundet që t'u shpëtojmë procedurave burokratike. Versus.al







