Numërimi i votave të diasporës për kandidatët e partive politike në listat e hapura ka përfunduar në 11 qarqe. I vetmi qark ku vijon numërimi është Elbasani, ku ndryshe nga rezultati i votave brenda vendit, tek socialistët nuk kryeson Sara Mile, por Saimir Hasalla me 1526 vota.
Në Elbasan kanë mbetur rreth 4400 zarfe për t’u numëruar.
Nga ana tjetër, më i votuari nga diaspora, rezulton Erion Braçe në Tiranë me 3018 vota. Ndërsa tek demokratët kandidati më i votuar nga emigrantët është Bardh Spahia në Shkodër me 1653 vota.
Vota preferenciale ngjalli shumë debate mes kolegëve të së njëjtës parti politike, teksa në një KZAZ të Tiranës, njerëz të kandidatit të PS, Ornaldo Rakipit, u përplasën me sekretarin e KQZ. Ndërsa shumë kandidatë patën pretendime për manipulim të votave, duke shkaktuar edhe ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama. Versus.al







