Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë sot në një konferencë për mediat ku ka publikuar detaje nga programi ekonomik i PD nëse vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 11 majit.
Berisha tha se prioritet mbetet ndezja e motorëve të prodhimit vendas në mënyrë që të rriten eksportet me vendet e tjera, ndërsa u zotua se do të garantojë taksat më të ulëta në Evropë.
Tatimi mbi pagën, biznesin e vogël dhe profesionet e lira
“Në këtë kuadër, do të zbatohet tatimi 10% mbi të ardhurat nga puna, duke përjashtuar 50 mijë lekët e para. Tatimi 10% mbi të ardhura të tjera, jo nga paga. Zero taksim mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël. Tavani vjetor për tatim fitim, zero për biznesin e vogël, do të jetë 18 milionë lekë, apo 500 euro në ditë.
Kufiri i përjashtimit nga TVSH do të jetë po ashtu në masën 18 mln lekë xhiro vjetore, apo 500 euro në ditë. Ulje nga 15 në 2 % të taksës së shitje së pronës dhe për këtë qëllim krijimi i kadastrës fiskale për përcaktimin e çmimeve të references”- tha Berisha.
Më tej ai premtoi krijimin e 4 zonave të lira ekonomike në 4 qarqe të vendit, të cilat sipas tij do të ofrojnë lehtësi për investitorët. Ai tha se Shqipëria nuk ka asnjë zonë të tillë industrial ndërkohë që vende si Serbia dhe Maqedonia e Veriut, i kanë.
“Do të krijohen 4 zona të lira ekonomike në 4 qarqe kryesore të vendit në të cilat do të ofrohen të gjitha lehtësirat, me kushtin e vetëm që investitori të ketë një biografi investimesh disavjeçare në vendin e tij dhe nuk do të pranohet asnjë qindarkë nga kontot ofshore.
Investimet në zonat e lira industriale duhet të kenë transparencë të plotë. Janë disa qarqe që do të përzgjidhen për krijimin e tyre. Shqipëria është e fundit, nuk ka asnjë zonë të lirë industriale, në një kohë kur Maqedonia e Veriut ka 6 zona dhe po hap të tjera, Serbia ka 18 zona”- shtoi Berisha më tej.
Lehtësirat për shqiptarët që kthehen nga emigracioni dhe kërkojnë të hapin një biznes në Shqipëri.
“Do t’u ofrohet defiskalizimi i të gjitha kompanive të huaja që hapin të paktën 20 vende pune në sektorin e IT dhe do merren me inteligjencën artificiale për 3 vitet e para. Banka e Zhvillimit që do ngrihet për të mbështetur zhvillimin ekonomik, do të mbështesë fuqishëm startupet me preferencë të të rinjve.
Diaspora. Çdo investitor që vjen nga diaspora në Shqipëri, 5 vitet e para nuk do të ketë asnjë taksë. E theksova se taksat lokale nuk do të mund të jenë kurrë më shumë se 1% e xhiros vjetore, janë 10 fishi sot. Ai thotë se e kam bërë zero biznesin e vogël, ndërkohë që u janë 10-fishuar taksat lokale.
Përveç kësaj, për të rinjtë që vijnë nga diaspora, do të parashikohen për startupet e tyre edhe grante nga 5 në 30 mijë euro. Kompanitë të cilat prodhojnë në lëvizjen ‘Made in Albania’ do të kenë mundësi të pëfitojnë nga fondet mbi dixhitalizimin, me qëllim automatizimin e proceseve prodhuese dhe rritjen e produktivitetit”
Ulja e TVSH dhe subvencionimi i fermerëve
“ID do të jetë nipti i fermerit, ID, letërnjoftimi. Mbështetje direkte për sipërmarrjen bujqësore shumë të ndjeshme. Subvencionim për çdo njësi prodhimi, për çdo krerë bagëti e fidanë të mbjellë. Simetrizimi i menjëhershëm i TVSH në sektorin e përpunimit të produkteve bujqësore.
Garantimi i një të gjitha shërbimeve dhe këshillimeve për sistemin bujqësor nga autoritete vendore. Pra kjo është paketa më e fuqishme rregullatorë dhe fiskale që është paraqitur ndonjëherë në historinë e vendit.
Janë tejkaluar siç e shihni, ndjeshëm kuadri ligjor i vitit 2006-2013 në të cilin Shqipëria zuri një nga vendet më të mira për klimën e biznesit. ‘Made in Albania’ do të jetë shtylla e krenarisë kombëtare të shqiptarëve. Ndaj dhe ne e quajmë themelore realizimin e kësaj reforme në ekonomi. Pra me fjalë të tjera, ekonomia, ekonomia, ekonomia, do të jetë themeli i programit tone”. Versus.al








