
Në orën 13:00 të ditës së sotme nisi mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike me fjalën e kryedemokratit Sali Berisha i cili foli mbi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Duke e konsideruar “farsë elektorale”, Berisha nuk la pa bërë autokritikë për punën e PD duke thënë se nuk është bërë punë e mjaftueshme për të qartësuar anëtarësinë dhe mbështetësit e PD për situatën ku ndodhet vendi.
“PD si forca kryesore opozitare u angazhua në një përpjekje intensive serioze ndërkombëtare për paraqitjen e gjendjes së rëndë, për denoncimin e diktaturës autokratike të Edi Ramës në të gjitha organizatat ndërkombëtare ku ne jemi të federuar apo të anëtarësuar.
E theksoj këtë moment si një moment të një rëndësie kapitale, sepse për fat të keq, e them këtu, për shkaqe më shumë njohje, nuk është gjerësisht e realizuar se Shqipëria përjeton një diktaturë autokratike. Kjo sigurisht më shqetëson në opinionin publik, por më tepër më shqetëson në anëtarësinë dhe mbështetësit tanë. Kjo nuk vjen nga mosdashja e tyre, kjo ka disa faktorë, por një nga këta faktorë është puna e dobët e jona për të qartësuar anëtarësinë dhe mbështetësit tanë në këto koncepte fondamentale politike”- tha Berisha.
Ai tha se shkak për rezultatin e 11 majit u bë edhe përdorimi i administratës publike ku janë të punësuar 220 mijë persona si funksionarë publikë.
“Diktaturat totalitare, ata që e përjetuan, ata thonë se kjo e sotmja nuk është e tillë. Dhe kanë të drejtë sepse diktaturat totalitare e përjashtojnë pluralizmin, diktatura autoritare nuk e përjashton pluralizmin, por e shtyp pluralizmin.
Kjo e dyta e shtyp pluralizmin dhe është mizore në përqendrimin e të gjithë pushteteve në një dorë. Të nderuar zonja dhe zotërinj dhe të dashur qytetarë që nga ndiqni, nga 220 mijë rrogëtarë të këtij shteti, nga presidenti i republikës tek punonjësi më i thjeshtë, vetëm 2 mijë prej tyre nuk janë emëruar apo zgjedhur nga partia shtet. 218 mijë në një përqendrim pra pothuaj total, i përkasin partisë shtet, partisë së krimit. Nuk ka përqendrim më të lartë pushteti në një diktature autokratike se sa ky”- deklaroi kryedemokrati. Versus.al







