Në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve, “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, kryeministri Edi Rama dha një sërë mesazhesh të forta ndaj trupës diplomatike shqiptare, të cilët i nxiti që të dalin nga rutina dhe të rrisin përkushtimin në funksion të objektivit historik të Shqipërisë: anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Zgjohuni më herët, flini më vonë”
Duke folur në mbyllje të konferencës tre-ditore, Rama u shpreh me tone të qarta dhe ironike për nevojën e ndryshimit të qasjes së diplomatëve shqiptarë jashtë vendit: “Uroj që të gjeni çdo ditë arsye për t’u zgjuar më herët dhe çdo natë arsye për të fjetur më vonë. E di që është e vështirë për diplomatët të dalin nga rutina dhe të mos thonë ‘ehu, sa kemi parë ne’, por është momenti që t’i përgjigjemi këtij kapitulli me seriozitetin që i detyrohemi brezit të ri dhe atyre që kanë dhënë jetën për këtë ëndërr.”
Objektivi: Anëtarësimi në BE
Rama e cilësoi këtë periudhë si katër vitet më vendimtare në rrugën europiane të Shqipërisë, duke kërkuar përqendrim absolut të përfaqësive diplomatike në vendet kyçe të BE-së:
“Negociatat zhvillohen me Komisionin Europian, por vendimi final do të vijë nga 27 parlamentet e vendeve anëtare. Çdo ditë është e vlefshme dhe asnjë ditë nuk duhet humbur.”
Ai shtoi se klima politike në këto vende ndikohet nga perceptimi, ndaj diplomatët shqiptarë duhet të luajnë rol të drejtpërdrejtë për të garantuar mbështetje të gjerë ndaj Shqipërisë.
Diplomacia ekonomike, “hallka më e dobët”
Një nga kritikat më të forta të Ramës ishte për diplomacinë ekonomike, të cilën e cilësoi si elementin më të dobët të trupës diplomatike:
“Roli i përfaqësive tona në këtë drejtim është minimal, për të mos thënë inekzistent. Përjashto raste shumë specifike që lidhen me ndonjë ambasador më të angazhuar, pjesa tjetër ka dështuar. Qeveria e ka lehtësuar jashtëzakonisht punën, por rezultatet mungojnë.”
Ai kërkoi që kjo të bëhet prioritet kombëtar dhe që ambasadat të jenë më aktive në tërheqjen e investimeve, promovimin e turizmit dhe lidhjet ekonomike me diasporën.
Regjistër për shqiptarët e suksesshëm në diasporë
Rama ngriti shqetësimin se Shqipëria ende nuk ka një regjistër të përditësuar për profesionistët shqiptarë që shkëlqejnë jashtë vendit:
“Jemi një vend i vogël dhe nuk e kemi luksin të mos dimë se ku janë burimet tona njerëzore më të mira jashtë. Kjo është detyrë minimale për ambasadat.”
Ai e cilësoi këtë dijeni si themel për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për ta kthyer diasporën në një aset real për zhvillimin kombëtar.
Reformë në diplomaci
Rama prezantoi edhe një reformë të re për shërbimin diplomatik, e cila përfshin:
- Ligj të ri për vlerësimin dhe testimin e diplomatëve në detyrë;
- Krijimin e një Akademie Diplomatike, që do të ofrojë trajnim dhe edukim të vazhdueshëm për ambasadorët dhe stafin e MPJ;
- Rritje pagash dhe mbështetje më të madhe financiare për përfaqësitë diplomatike shqiptare;
- Kuadër i ri ligjor që do të miratohet së shpejti në Kuvend për modernizimin e diplomacisë shqiptare.
- Samiti i NATO-s në 2027 dhe ftesa për Presidentin e Qipros
Rama nënvizoi se Shqipëria do të jetë mikpritëse e Samitit të NATO-s në vitin 2027, një ngjarje që e cilësoi si historike për vendin. Po ashtu, konfirmoi se presidenti i Shqipërisë i ka përcjellë ftesë zyrtare Presidentit të Qipros për të vizituar Tiranën, duke e vlerësuar Qipron si shembull suksesi në rrugën drejt BE-së.
BE kërkon më shumë promovim për SPAK
Në konferencë foli edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili kërkoi nga diplomatët shqiptarë të promovojnë më fort punën e SPAK në vendet ku shërbejnë.
“Disa shtete të BE-së kanë ende ankth për nivelin e kriminalitetit në Shqipëri dhe nuk janë të ndërgjegjësuar për rezultatet që po jep SPAK. Kjo është një detyrë që bie edhe mbi ju,” tha Gonzato. /VERSUS/







