Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka nisur sot një mbledhje të rëndësishme, pas paralajmërimit nga kryetari i saj, Memli Krasniqi. Mbledhja vjen menjëherë pas dështimit të dymbëdhjetë me radhë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke thelluar krizën institucionale në vend.
Në fokus të diskutimeve është edhe propozimi i bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që kërkon formimin e një qeverie tranzitore dhe gjithpërfshirëse, e cila do të drejtonte vendin deri në zgjedhjen e presidentit. Sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, një marrëveshje e tillë do të ndihmonte në tejkalimin e bllokadës aktuale dhe në stabilizimin e situatës politike.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh i hapur për diskutime me të gjitha palët, duke nënvizuar se ka pasur kontakte edhe me kryeministrin në detyrë Albin Kurti. “Ju e dini që s’i kam ikë asnjë takimi. Unë e kam takuar edhe Albin Kurtin. Normalisht që kolegët e ish-opozitës i takoj edhe më lehtë dhe më me dëshirë,” deklaroi Krasniqi.
Përballë ngërçit institucional dhe mungesës së konsensusit për zgjedhjen e presidentit të ri, iniciativa për një qeveri tranzitore duket se po fiton terren si një alternativë e përkohshme, ndonëse rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e vështirë dhe e pasigurt. /Versus.al/








