
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë fluturimit për t’u kthyer nga Alaska.
Trump mbërriti në Bazën e Përbashkët Andrews në Maryland pak pas orës 02:00 të mëngjesit, me orën lokale, pas përfundimit të samitit me presidentin rus, Vladimir Putin.
Sipas Sekretares së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, presidenti e kaloi pjesën më të madhe të fluturimit gjashtëorësh duke biseduar në telefon.
Pas komunikimit me Zelenskyn, ai zhvilloi një tjetër telefonatë me përfaqësues të NATO-s.
Ky zhvillim u bë publik pak minuta pasi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportoi se mbrëmë nuk kishte pasur diskutime midis Trump dhe Putin për një samit tjetër ku të merrte pjesë edhe presidenti ukrainas.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Putinin, pas një takimi dy orë e gjysmë, Trump u shpreh se do të telefononte si Zelenskyn, ashtu edhe zyrtarët e NATO-s, për t’i informuar mbi bisedimet.
“Sigurisht që do ta telefonoj Presidentin Zelensky dhe do t’i tregoj për takimin e sotëm”, deklaroi ai. Zyra e presidentit ukrainas konfirmoi se biseda telefonike me Trump u zhvillua të shtunën në mëngjes./Versus.al







