AKTUALITET /

Kriza e karburanteve, Shoqata e Transportit Publik: Nëse nuk merren masa të hëhën reduktohet flota e autobusëve!

Shoqatat e transportit paralajmërojnë reduktim të shërbimeve publike për shkak të rritjes së çmimit të karburantit dhe kërkojnë heqjen e TVSH-së, rishikimin e taksave mbi naftën dhe subvencione për të garantuar vijueshmërinë dhe cilësinë e transportit pa rritur çmimin e biletës.

Shkruar nga Versus
Kriza e karburanteve, Shoqata e Transportit Publik: Nëse nuk merren masa
Foto ilustruese

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kanë dalë me një deklaratë publike, duke shprehur shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të çmimit të karburantit dhe ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në funksionimin e transportit publik.

Shoqatat kërkojnë nga institucionet përgjegjëse masa të menjëhershme, përfshirë heqjen e TVSH-së për transportin publik, rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin dhe aplikimin e subvencioneve ose mekanizmave kompesues, në mënyrë që të ruhet ofrimi i shërbimit pa rritur çmimin e biletës.

Në deklaratë theksohet se rritja e çmimit të naftës nga 145 lekë/litër në rreth 214 lekë/litër ka sjellë një shtim të konsiderueshëm të shpenzimeve operative për operatorët. Pa ndërhyrje institucionale, ekziston rreziku që të hënën flota të reduktohet deri në 30%, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve.

Shoqatat nënvizojnë se qëllimi nuk është reduktimi i shërbimeve apo rritja e çmimit të biletës, por garantimi i vijueshmërisë dhe cilësisë së transportit publik. Ato kërkojnë veprime konkrete për të ruajtur ekuilibrin mes kostove dhe të ardhurave dhe për të mbrojtur interesin e qytetarëve.

Deklarata e Shoqatës së Transportit publik:

Shoqatat, vlerësojnë të nevojshme të informojnë opinionin publik dhe institucionet përgjegjëse mbi situatën aktuale të sektorit të transportit publik, e cila po ndikohet ndjeshëm nga rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i saj në kostot e operimit.

Transporti publik, si një shërbim me rëndësi të veçantë për qytetarët dhe për funksionimin e ekonomisë, operon në kushte tarifash të rregulluara ligjërisht dhe me mundësi të kufizuara për të përballuar ndryshime të menjëhershme të kostove. Kështu, rritja e çmimit të naftës nga rreth 145 lekë/litër përpara krizave të fundit, në rreth 214 lekë/litër aktualisht, pra një rritje prej afërsisht 70 lekë për litër, ka sjellë një shtim të konsiderueshëm të shpenzimeve operative për operatorët.

Kjo situatë rëndohet më tej nga pesha e lartë e komponentëve fiskalë në çmimin e karburantit, duke ushtruar një presion të vazhdueshëm mbi kapacitetin financiar të sektorit. Si pasojë, ruajtja e ekuilibrit ndërmjet kostove dhe të ardhurave, si dhe garantimi i të njëjtit nivel shërbimi, me të njëjtën cilësi dhe frekuencë po bëhen gjithnjë e më të vështira.

Pavarësisht adresimeve të vazhdueshme pranë institucioneve përgjegjëse, deri në këtë moment nuk janë ndërmarrë masa konkrete për të përballuar këtë situatë. Në mungesë të ndërhyrjeve të menjëhershme, ekziston rreziku që operatorët të mos jenë në gjendje të ruajnë nivelin aktual të operimit dhe frekuencat e shërbimit, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët. Megjithatë, theksojmë se operatorët nuk synojnë reduktimin e shërbimit apo rritjen e çmimit të biletës, por vijueshmërinë dhe cilësinë e tij. Në kushtet aktuale, kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u garantuar pa mbështetje institucionale.

Për sa më sipër, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse ndërmarrjen e masave konkrete dhe të menjëhershme, konkretisht:

1- rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin, veçanërisht në drejtim të akcizës dhe taksës së qarkullimit;

2- vlerësimin e një politike të veçantë për sektorin e transportit publik për heqjen e TVSH-së;

3- aplikimin e mekanizmave subvencionues ose kompensues, me qëllim garantimin e vijueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së këtij shërbimi në interes të qytetarëve./Versus.al

Poll