POLITIKË /

Mazhoranca miraton projektligjin për 3 vjet punë të detyruar të studentëve të mjekësisë

Ndryshimet e bënë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi pjesërisht ligjin që i detyronte studentët për 5 vite pas diplomimit të mos largoheshin për të punuar jashtë vendit.

Shkruar nga Versus

Mazhoranca miraton projektligjin për 3 vjet punë të detyruar

Vetëm me votat e mazhorancës, 73 vota pro, 0 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi miratoi sot projekt-ligjin për studentët e Mjekësisë në Universitetin Shtetëror.

Ndryshimet e bënë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi pjesërisht ligjin që i detyronte studentët për 5 vite pas diplomimit të mos largoheshin për të punuar jashtë vendit.

Propozimi për uljen e viteve të detyrimit të studentëve të mjekësisë për të punuar në Shqipëri pas diplomimit në 3 vite për vitet e para, dy vite për studentët e viteve 2-4 si dhe një vit për ata të viteve 5-6 u diskutua edhe në Komisionin e Ligjeve.

Po ashtu, ndryshimet parashikojnë punësimin brenda 3 muajve në shëndetësinë publike të mjekëve të sapodiplomuar, në të kundërt ata mund të punojnë në institucione private, ose të trajtohen me 80 për qind të pagës së një mjeku të përgjithshëm, gjatë 9 muajve të pritjes së detyruar, derisa ministria e Shëndetësisë t’u sigurojë një vend pune brenda kësaj periudhe. 

Sipas ndryshimeve që u miratuan sot në Kuvend studentët e mjekësisë mund të lidhin një kontrate që i detyron që të punojnë në Shqipëri të paktën tre vite pas diplomimit, ose në të kundërt duhet të paguajnë të plotë tarifën e studimit.

Deputetja Etilda Gjonaj, një nga nismëtaret e këtyre ndryshimeve ligjore, tha në seancë se, krahas zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në janar të këtij viti, ligji është me rëndësi, sepse “sistemi ka nevojë për afro 1 mijë mjekë, mes të cilëve edhe shumë mjekë që kanë dalë apo pritet të dalin në pension në afatet e caktuara”.

Aktualisht në sistemin shëndetësor punojnë ende rreth 250 mjekë, që e kanë mbushur moshën e pensionit, po aq sa edhe pritet të diplomohen rishtas mjekë të rinj në vitin pasardhës.

Më 16 shtator, opozita hodhi akuza për tarifën e studimit, duke deklaruar se kostoja në relacion ishte tre herë më e lartë. Opozita nuk ishte e pranishme në sallë e në votim, pasi u largua pasi u mbajt 1 minut heshtje në kujtim të ish-deputetit Gerti Bogdani  

 

 

 

 

Poll