
Qeveria ka miratuar një paketë vendimesh që prekin biznesin, arsimin dhe sektorin e transportit, duke synuar lehtësimin e kostove dhe mbështetjen e zhvillimit.
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, njoftoi se është akorduar një fond prej 100 milionë lekësh për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Akti i tretë lidhet me mbështetjen për bizneset e vogla dhe mesme, ne miratuam një fond prej 100 milionë lekësh, i cili do të akordohet për mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, u shpreh ajo. Ibrahimaj shtoi gjithashtu se administrata do të kalojë drejt dixhitalizimit të plotë, duke eliminuar dokumentet fizike dhe duke kryer të gjitha praktikat online.
Në të njëjtën mbledhje, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se skema e teksteve falas do të zgjerohet edhe për klasat e katërta dhe të pesta.
“Me vendimin e sotëm miratuam financimin nga buxheti i shtetit për klasat e katërta dhe të pesta të arsimit fillor, të teksteve të reja falas. I kishim falas për klasat e para, të dyta dhe të treta, ndërsa me vendimin e sotëm shtuam dhe me financim të Ministrisë së Arsimit rreth 43 milionë lekë të reja, tekstet falas çdo vit për klasat e katërta dhe të pesta, falas. Bëhet fjalë për rreth 9 mijë nxënës dhe kur flasim për anën financiare, edhe për familjet e tyre që do të përfitojnë tekstet falas, duke mos i pasur barrë në buxhetin e tyre dhe as nuk do t’i marrin të përdorura”, tha Kumbaro.
Ndërkohë, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, njoftoi se janë përcaktuar zona prioritare në kuadër të Paketës së Maleve për katër bashki: Sarandë, Kuçovë, Gramsh dhe Tropojë. “Numri i aplikimeve në territor është rritur ndjeshëm dhe tashmë ka kaluar mbi 500, edhe për faktin se çdo javë po shtohen bashki të reja”, u shpreh ai.
Sa i përket sektorit të transportit, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tha se qeveria po shqyrton mundësinë e rikthimit të skemës së subvencionimit të karburantit, për shkak të rritjes së çmimeve.
“Jo më larg se para rreth dy orësh, bashkë me ministren e Ekonomisë dhe bashkinë e Tiranës ishim në takim me shoqatat e transportit. Situata e krizës dhe çmimeve është duke u ndjekur me kujdes. Qeveria ka njoftuar disa plane masash, si ngritja e Bordit të Transparencës dhe akcizën. E dimë që gjatë 2022 janë marrë disa akte subvencioni sa i përket shoqatave, ky element po diskutohet përsëri. Por jemi duke e marrë në konsideratë bashkë me propozime të tjera të bëra nga shoqatat e transportit”, tha ai.
Në fund, ministrja Ibrahimaj komentoi edhe çështjen e sigurisë kibernetike, duke theksuar se sulmet nuk kanë shkaktuar dëme serioze.
“E vërteta është që të gjitha atakët kibernetike nuk kanë lënë gjurmë të pariparueshme. Kjo do të thotë që infrastrukturat kibernetike janë në fuqi. E rëndësishme është që të mos ketë dëme të pariparueshme. Në botën e zhvillimit të sistemeve, ajo që është e pashmangshme. Do vazhdojmë të investojmë në këtë drejtim pasi e ardhmja është digjitale dhe luftërat do jenë digjitale”, u shpreh ajo./Versus.al

