Milarderi amerikan Elon Musk ka njoftuar një projekt të ri gjigant për prodhimin e çipave për inteligjencën artificiale, robotikën dhe qendrat e të dhënave, një investim që mund të arrijë dhjetëra miliarda dollarë.
Projekti quhet “Terafab” dhe do të ndërtohet pranë qytetit Austin.
Sipas Musk, kjo fabrikë do të ketë si objektiv prodhimin e një teravati fuqi llogaritëse në vit. Një teravat është i barabartë me një mijë miliardë vat dhe kjo fuqi është pothuajse sa kapaciteti total i prodhimit të energjisë elektrike në Shtetet e Bashkuara.
Projekti do të realizohet në bashkëpunim mes kompanive të tij Tesla dhe SpaceX. Megjithëse Musk nuk ka bërë publik investimin fillestar, mediat amerikane e vlerësojnë atë mes 20 dhe 25 miliardë dollarë.
Musk pranoi se nuk ka përvojë direkte në industrinë e gjysmëpërçuesve, por tha se projekti është i domosdoshëm sepse kërkesa për fuqi llogaritëse nga Tesla dhe SpaceX pritet të rritet shumë dhe furnizuesit aktualë nuk mund ta përballojnë këtë ritëm. Ai falënderoi partnerët aktualë si Samsung, TSMC dhe Micron Technology, por theksoi se kompanitë nuk po rriten aq shpejt sa kërkohet nga projektet e tij.
Sipas planit, Terafab synon që në të ardhmen të prodhojë çipa që do të mbështesin nga 100 deri në 200 gigavat fuqi llogaritëse në Tokë dhe deri në një teravat në hapësirë.
Elon Musk nuk ka dhënë ende një afat konkret për nisjen e prodhimit, ndërsa ka deklaruar se projekti është pjesë e vizionit të tij për ta bërë njerëzimin një “civilizim galaktik”, i aftë të shfrytëzojë burimet e planetëve dhe yjeve të tjerë.

