Unpublished /

“Arena”, “Viena” dhe “Reali”, rrjeti i padukshëm i basteve? Pikëpyetje mbi qindra lokale që operojnë në Tiranë

Në një kohë kur Policia e Shtetit ka ndërmarrë aksione të njëpasnjëshme kundër basteve të paligjshme, rrjeti i këtyre lokaleve duket se vazhdon aktivitetin pa pengesa.

Shkruar nga Versus
“Arena”, “Viena” dhe “Reali”, rrjeti i
Foto ilustruese

Në rrugët kryesore të Tiranës dhe në lagje të ndryshme të kryeqytetit, një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm ka nisur të ngrejë pikëpyetje të forta: shtimi i lokaleve me emra të përsëritur si “Arena”, “Viena” dhe “Reali”.

Të prezantuara si bare sportive apo ambiente shërbimi, këto lokale funksionojnë çdo ditë në zona të frekuentuara, por dyshimet janë se një pjesë e tyre mund të përdoren si pika të maskuara për baste të paligjshme.

Një verifikim në të dhënat publike të regjistrit tregtar tregon ekzistencën e një numri të lartë subjektesh të regjistruara me emërtimet tregtare “Arena”, “Viena” dhe “Reali”, të pajisura me NIPT-e të ndryshme.

Edhe pse juridikisht figurojnë si biznese të ndara, ngjashmëria në emër, mënyrën e funksionimit dhe shtrirjen gjeografike ka ngritur dyshime për ekzistencën e një organizimi më të gjerë.

Në një kohë kur Policia e Shtetit ka ndërmarrë aksione të njëpasnjëshme kundër basteve të paligjshme, rrjeti i këtyre lokaleve duket se vazhdon aktivitetin pa pengesa.

Kjo ka shtuar pyetjet mbi mënyrën se si po veprohet ndaj operatorëve të ndryshëm në tregun informal të lojërave të fatit.

Burime jozyrtare pretendojnë se pas këtij modeli aktiviteti mund të qëndrojnë individë të lidhur me industrinë e basteve që operonte para mbylljes së tyre zyrtare në vitin 2019.

Pas ndalimit me ligj, aktiviteti dyshohet se nuk është zhdukur, por ka ndryshuar formë, duke kaluar nga pikat tradicionale të basteve drejt ambienteve të kamufluara si lokale.

Vetëm në Tiranë, sipas informacioneve jozyrtare, brenda një periudhe të shkurtër janë hapur dhjetëra pika me të njëjtën skemë funksionimi, ndërsa shtrirja e tyre në qytete të tjera ka forcuar bindjen se bëhet fjalë për një rrjet të koordinuar.

Ndërkohë, mbeten ende pa përgjigje disa pyetje thelbësore: Kush i administron realisht këto pika? A ka pasur kontrolle specifike ndaj tyre? Dhe pse disa aktivitete goditen nga autoritetet, ndërsa të tjera vijojnë të operojnë hapur?

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet ligjzbatuese mbi funksionimin e këtyre lokaleve, ndërsa kërkesat për më shumë transparencë dhe hetim mbeten./Versus.al

Poll