
Policia e Tiranës ka arrestuar një 41-vjeçar të shpallur në kërkim për plagosjen e dy personave me thikë, ngjarje e ndodhur dy javë më parë në zonën e Paskuqanit.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të operacionit të koduar “Udhëkryqi”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, lokalizuan dhe vunë në pranga shtetasin Ylli Murati, 41 vjeç.
Ai u ndalua për kontroll në rrugën “Mine Peza”, ndërsa po lëvizte me automjetin e tij tip “Benz”. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë, dhjetëra fishekë të kalibrave të ndryshëm, një thikë, si dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë. Po ashtu u sekuestrua edhe automjeti që drejtonte.
Hetimet paraprake tregojnë se më 2 qershor 2026, pranë urës së Paskuqanit, 41-vjeçari dyshohet se plagosi me mjet prerës shtetasit E.Q. dhe A.V., pas një konflikti të çastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.Versus.al

