
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi se vendi duhet të miratojë një reformë të re zgjedhore që të integrojë rekomandimet e mëparshme dhe aktuale të OSBE-së.
Gjatë një deklarate nga qyteti i Korçës, ku po merrte pjesë në një aktivitet, Gonzato theksoi se kjo reformë është një hap i domosdoshëm në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Nuk ka dalë ende raporti përfundimtar i OSBE, mendoj se Brukseli foli qartë lidhur me zgjedhjet e 11 Majit ne Shqipëri. Është koha që qeveria dhe parlamenti shqiptar të miratojnë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore e cila të përfshijë rekomandimet e shkuara dhe të tashme. E në fakt rezultati i jep një përgjegjësi më të madhe qeverisë që të ndërmarrë këtë reformë sepse i ka numrat. Është pritshmëria e shqiptarëve në qoftë se Shqipëria është drejt rrugës së BE”, tha Gonzato.
“Në raport me plotësimin e standardeve, ka një raport të OSBE i cili jep përfundimin, i ka njohur në standarde por citon dhe përdorimin e burimeve publike por administrimi i zgjedhjeve është përgëzuar. Dua të përgëzoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mënyrën e administrimit të zgjedhjeve dhe bashkëpunimin me prokurorinë e përgjithshme dhe SPAK. Secila parti që ndihet e vjedhur të raportojë në organet gjyqësore. Megjithatë, uroj që të dyja partitë të punojë drejt drejtimit të BE”, shtoi ai./Versus.al







