
Gjykata e Tiranës ka caktuar nëntë masa arresti për administrator të subjekteve financiare dhe përmbarues të cilët akuzohen si pjesë e një skeme piramidale të organizuar nga 5 kompanitë ku punonin.
Sipas Prokurorisë së Tiranës,të përfshira në skemë janë shoqëritë si “Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH të cilat morën nga banka “Pro Credit” kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me shumë totale prej 7.2 milionë eurosh.
Si funksiononte skema piramidale:
Nga aktet e administruara, rezulton se këto shoqëri morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.
Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.
Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.
Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 leke.
Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe një rast ku një personi i janë sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme për shkak të një detyrimi të prapambetur prej 347.958 lekësh.
“Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi”- njofton prokuroria.
Veprat penale të kryera nga personat e akuzuar
Përmbaruesit A.M., A.K., dhe A.T. kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
Po kështu u provua se shtetasja K.S., në cilësinë e përmbarueses dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të ‘Vjedhjes’, parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal.
Ndërsa A.D., A.G. dhe E.M., në cilësinë e administratorëve të shoqërive përmbarimore Star-FS dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të vjedhjes, parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal. Po kështu edhe shtetasja E.I., administratore e MCA, dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘vjedhjes’ parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal.
Për pasojë, pas kërkesës së prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka vendosur si më poshtë:
1 - Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.D.;
2 - Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.G.;
3 - Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin E.M.;
4 - Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen K.S.;
5 - Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për E.I.;
6 – Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasen J.D.;
7 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.M.;
8 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” për shtetasin A.K.; dhe
9 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen A.T.
Të gjithë këta persona akuzohen për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”.







