Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” me qëllim ekstradimin drejt Italisë për Arjanit (Agim) Malokun dhe Jurgen Kaçurrin, të arrestuar dy ditë më parë në kuadër të një megaoperacioni që u shtri në Itali, Shqipëri, Poloni e Zvicër, gjatë të cilit u ekzekutuan 21 urdhër-arrete nga 61 të lëshuara nga antimafia e Breshias në Itali.
Pasditen e së premtes, dy të arrestuarit e SPAK-ut dolën para gjyqtarit Alban Veçani, i cili pasi dëgjoi palët miratoi arrestimin e përkohshëm të Malokut dhe Kaçurrit. Gjykata e Durrësit ndërsa i hapi dritën jeshile ekstradimit të Kaçurrit, shpalli moskompetencën për shqyrtimin e çështjes së ekstradimit për Malokun, pasi ai është rezident në Fushë-Krujë, kësisoj kjo gjykatë ia kaloi rastin gjykatës së Tiranës.
Dy të arrestuarit akuzohen për përfshirje në grup të strukturuar kriminal. Arjanit Maloku dhe Jurgen Kaçurri dyshohet se janë pjesë e grupit të drejtuar nga Kreshnik Farruku Budlla.
Policia kontrolloi 21 banesa me qëllim kapjen e Farrukut dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tij, por pa rezultat. Gjatë aksionit të së mërkurës u vunë në pranga vetëm Arjanit Maloku dhe Jurgen Kaçurri, ndërsa 10 të tjerë, anëtarë të grupit, vijojnë ende të jenë në kërkim.
Ky grupi i strukturuar kriminal ushtronte aktivitetin kriminal të trafikimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë. Sipas një përllogaritje paraprake nga hetuesit e dosjes, vetëm drejt Italisë ky grup dyshohet të ketë "eksportuar" mbi 200 milion euro kokainë. Ndërkohë shqiptarët, duket se ishin bashkuar dhe ma klanin mafioz të Sacra Corona Unita, të cilët kishin krijuar një infrastrukturë gjigande pastrimi parash së bashku me një grup kriminal kinez. Sipas hetuesve organizata italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, kishte lëshuar fatura false me një vlerë prej rreth 375 milionë Euro
Kush është baroni i drogës
Kreshnik Farruku (Budlla) është një emër i njohur në botën e krimit, i cili ka përdorur 10 emra për t'i shpëtuar drejtësisë, teksa njihet më shumë edhe si Kreshnik Farruku. Në maj të 2019-ës ai është arrestuar në Spanjë, së bashku me vëllanë e tij dhe një tjetër anëtar të fisit.
Budlla u prangos në një hotel në Madrid pas disa muajsh hetime dhe ndjekje nga policia, pasi kërkohej në Spanjë dhe Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave, ndërsa është hetuar edhe për një vrasje po në Spanjë. Sipas medieve spanjolle Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në vitin 2010, për shkak të pazareve të drogës. Por pas hetimit, prokurorët spanjollë konkluduan se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi, i cili mbeti i vrarë në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë.







