
Saimir Tahiri është paraqitur sot në ambientet e SPAK ku ka hyrë rreth orës 09:30. Mësohet se këtë herë do të pyetet në kuadër të hetimeve që po bëhen për dosjen e “21 janarit”.
Ka qenë prokurori i posaçëm Alfred Shehu ai që e ka thirrur Tahirin në SPAK.
“U pyeta për rolin tim dhe denoncimin e bërë më 2015-ën. I qëndroj denoncimit tim. Unë kam qenë protestues, shpresoj që kjo ngjarje të zbardhet”- u shpreh Tahiri pasi doli nga godina e SPAK. Në padinë e dorëzuar në prokurori më 2015-ën, Tahiri akuzonte Bashën, asokohe ministër i Brendshëm se kishte urdhëruar ngritjen e një helikopteri që të hidhte lëndë kimike ndaj protestuesve.
Ish ministri u pyet edhe për rekursin që SPAK ka bërë në Gjykatën e Lartë kundër dënimit të tij vetëm për shpërdorim detyre me 3 vite e 4 muaj burg duke kërkuar dënim tjetër edhe për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal. Ai tha se pret që të dalë i pafajshëm.
Ditën e djeshme, u paraqit në SPAK edhe deputeti socialist Xhemal Qefalia si një ndër organizatorët e protestës së Partisë Socialiste më 21 janar 2011, asokohe në opozitë. Së fundmi janë thirrur në SPAK për të dëshmuar edhe ish-drejtuesi i policisë, Hysni Burgaj dhe ish-zëvendësi i tij Agron Kuliçaj për të dhënë llogari mbi veprimet e policisë.
Më 21 janar të 2011, në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Pasi SPAK mori në dorë hetimet për zbardhjen e vrasjeve të cilat gjykata e Strasburgut i cilësoi si “vrasje shtetërore”, familjarët e Aleks Nikës dorëzuan në SPAK një audiopërgjim mes komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe gardistëve të tjerë të cilëve dëgjohet t’u thotë që të hapin zjarr luftarak nëse dikush kalon telin me gjemba të vendosur para kryeministrisë.
Në përgjim dëgjohet të thuhet se urdhri ka ardhur nga lart. Për këtë SPAK po heton zinxhirin e lartë komandues në mënyrë që të zbardhet përgjegjësia mbi vrasjen e 4 protestuesve të pafajshëm. Versus.al







