AKTUALITET /

“6 zerot”, jahti 950 mijë $ dhe San Siro: ëndrrat e biznesmenit Ermal Beqirit që sot hetohet nga SPAK

SPAK ka nisur hetimet për pasuritë e biznesmenit Ermal Beqiri, pronar i “Soft & Solution”, të dyshuara se janë krijuar nga burime të paligjshme. Në fokus janë jahti luksoz, pronat e regjistruara në emra të tretë dhe flukset financiare të kompanive të lidhura me të.

Shkruar nga Versus
“6 zerot”, jahti 950 mijë $ dhe San Siro: ëndrrat e
Emal Beqiri dhe tabela

Biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, është vënë nën hetim nga SPAK në kuadër të verifikimit të pasurive që dyshohet se janë krijuar nga burime të paligjshme. Beqiri është shpallur në kërkim nga SPAK, ndërsa hetimi synon gjurmimin e pasurive dhe flukseve financiare të tij.

Rreth tre vite më parë, në fillim të vitit 2023, Beqiri ndante publikisht në rrjetin social “Facebook” atë që ai i quante “Goals 2023” – një tabelë me objektiva që në atë kohë prezantoheshin si synime personale dhe profesionale për kompaninë “Soft & Solution” dhe stafin e saj. Në krye të listës qëndronte ambicia për të “kapur 6 zerot”, e ndjekur nga objektiva të tjera si përmirësimi profesional, hapja e bizneseve të reja, blerja e një jahti luksoz dhe udhëtime prestigjioze, përfshirë ndjekjen e një ndeshjeje të Milanit në stadiumin “San Siro”.

Në listën e publikuar asokohe renditeshin këto objektiva për vitin 2023:

Arritja e të ardhurave me “6 zero”

Blerja e një makine automatike

Ndjekja e një ndeshjeje të Milanit në “San Siro”

Përmirësim profesional dhe rritje në karrierë

Ndërtimi i një kompjuteri të ri

Hapja e bizneseve të reja

Blerja e një jahti luksoz

“6 zerot”, jahti 950 mijë $ dhe San Siro: ëndrrat e
Tabela "goals 2023" e Ermal Beqirit


Sot, tre vite më pas, “Soft & Solution” rezulton të ketë regjistruar nivele të larta financiare, ndërsa SPAK ka intensifikuar hetimet për pasuritë e biznesmenit. Sipas të dhënave hetimore, Beqiri dyshohet se ka realizuar një nga objektivat e tij kryesore, blerjen e një jahti luksoz, me vlerë rreth 950 mijë dollarë.

Në fokus të hetimit është vënë edhe Xhenila Tamizi, e cila rezulton juriste e kompanisë “Soft & Solution” dhe paguhet me rreth 736 mijë lekë të vjetra në muaj. Pavarësisht kësaj page, ajo figuron pronare e disa pasurive të konsiderueshme, përfshirë apartamente dhe një jaht të markës “Predator 50 Skyfall”, me vlerë të përafërt 950 mijë dollarë. SPAK dyshon se pronari real i këtyre pasurive është vetë Ermal Beqiri, ndërsa Tamizi dyshohet se shërben si përfaqësuese formale.

Paralelisht, SPAK dhe Prokuroria e Tiranës po kryejnë veprime hetimore edhe për zyrtarët përgjegjës që nuk arritën të sekuestronin një koleksion prej rreth 900 shisheve verë të cilësisë së lartë, i cili dyshohet se është zhdukur nga banesa e Ergys Agasit.

Hetimet janë shtrirë edhe mbi pasuri të tjera të lidhura me kompanitë “Soft & Solution” dhe “EA Solution”, të cilat sipas informacioneve dyshohet se kanë investuar në sektorin e ndërtimit dhe në prona të paluajtshme në Tiranë dhe në disa zona të tjera të Shqipërisë. Po ashtu, SPAK ka kërkuar informacion nga bankat e nivelit të dytë dhe nga zyrat e hipotekave, me qëllim gjurmimin e transaksioneve financiare dhe dokumentimin e burimit të parave./Versus.al

Poll