AKTUALITET /

90 banorë të helmuar në spital, prefekti i Dibrës: Qytetarët të konsumojnë ujë të blerë deri në kryerjen e analizave

Shkruar nga Versus
90 banorë të helmuar në spital, prefekti i Dibrës:
Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu

Situata në Bulqizë me qytetarët që u paraqitën ditën e djeshme në spital me simptoma helmimi paraqitet tejet serioze.

Kur numri i personave që dyshohet se janë helmuar, ka shkuar në 90, prefekti i Dibrës Nexhbedin Shehu ka dalë në një deklaratë për mediat ku bën thirrje që banorët të mos konsumojnë ujin e pijshëm që u vjen nga çezma deri në daljen e rezultatave të analizave që po bëhen në Tiranë.

Ndërkohë, ai tha se mjekët e përjashtojnë mundësinë që helmimi i banorëve të ketë ardhur nga uji i pijshëm që kanë konsumuar.

“Nga e shtuna ka fluks të shtuar të njerëzve që paraqiten me shenja diarreje dhe të vjella. Shenjat janë të lehta siç thonë mjekët, gjithsesi është fluks i shtuar. Këto tre ditë ka mbi 30 raste. Gjithsej janë mbi 90 raste që janë paraqitur për të marrë shërbime. Analiza e ujit dalin të mira, megjithëse ka gjeografi jashtë Bulqizës, gjithsesi është në hetim. Presim rezultatin e analizave. Mendimi i parë na vjen uji. Mjekët e përjashtojnë deri diku. Bulqiza nuk ka një ujësjellës por disa. Gjej rast tu bëjë thirrje popullatës të bëjnë kujdes sikur të pijë ujë, ta ziejnë ose të përdorin ujë të blerë deri kur të dalin analizat.”- u shpreh Shehu.

Policia doli dje me një njoftim zyrtar lidhur me rastin, ku fillimisht u bë me dije se u paraqitën në spital 50 persona, më pas ky numër u rrit vazhdimisht. Qytetarët kanë pasur dhimbje të forta barku dhe vjellje. Versus.al

Poll