AKTUALITET /

Aksidenti fatal, Universiteti “Kadri Zeka” reagon pas humbjes së dy studenteve

Në reagimin e tij, Universiteti “Kadri Zeka”, në Kosovë ka shpërndarë një mesazh ngushëllimi për familjet e viktimave.

Shkruar nga Versus

Aksidenti fatal, Universiteti “Kadri Zeka” reagon pas humbjes

Dy studente të Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi, humbën jetën tragjikisht pas një aksidenti trafiku të ndodhur sot rreth orës 10:00 në aksin rrugor Domoroc-Hodonoc, në komunën e Ranillugut, Kosovë. Një tjetër person ka marrë lëndime, por ka shpëtuar nga ky aksident fatal.

Fillimisht, aksidenti u raportua si një vetëaksident, por pas analizimit të kamerave të sigurisë nga policia, u zbulua se kishte përfshirë një përplasje mes një automjeti dhe një kamioni. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha se aksidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një kthimi të pasigurt të drejtuesit të kamionit, i cili ka penguar manovrën e automjetit që po tejkalonte, duke bërë që shoferja të humbiste kontrollin.

Në reagimin e tij, Universiteti “Kadri Zeka” ka shpërndarë një mesazh ngushëllimi për familjet e viktimave.

“Arbnora dhe Antiana do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë si studente të përkushtuara dhe të dalluara, me ëndrrat dhe aspiratat që nuk mund të realizoheshin. Kjo humbje e papritur ka tronditur të gjithë ne, dhe na ka lënë pa fjalë. Ne do t’i kujtojmë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje për kontributin e tyre në komunitetin akademik.”-shkruan universiteti. 

Përfundimisht, Universiteti i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve Basha dhe Thaqi, duke iu qëndruar pranë në këto momente të vështira dhe duke shprehur solidaritetin me të afërmit, miqtë dhe kolegët e viktimave.

Poll