Gjykata e Korruptimit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, me 3 vite e 1 muaj burg për shpërdorim detyre në lidhje me tjetërsimin e 10 mijë metra katrorë tokë në zonën e Gjilekës së Himarës.
Për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, Goro do të kryejë 2 vite e 20 ditë burg dhe do t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Bashkë me të, GJKKO ka dënuar edhe ish-juristin e Hipotekës në Vlorë, Vezir Gjikokën, me 2 vite burg, nga të cilat ai do të shërbejë 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Po ashtu, ish-drejtori i Bashkisë së Himarës, Jerasimo Basho, u dënua me 3 vite burg, duke u reduktuar kjo periudhë në 2 vite për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar.
GJKKO vendosi që 10 mijë metra katrorë tokë, të blerë më parë nga ish-deputeti Artan Gaçi, të konfiskohen dhe të kthehen në pronësi të shtetit.
Ndërkaq, një apartament i sekuestruar u vendos t’i kthehej Gentian Sulës, pasi SPAK kishte pretenduar se ai përbënte pasurinë e fshehur të Jorgo Goros.
Hetimet zbuluan se Goro kishte paraqitur dokumente të falsifikuara përpara organeve kompetente, duke lejuar regjistrimin e një toke bujqësore si pronë shtetërore në emër të Stavri Mëhillit, i cili është aktualisht në arrati.
Më pas, kjo tokë u shit një shoqërie private, e përfaqësuar nga ish-deputeti Artan Gaçi. GJKKO konfirmoi se në total janë tjetërsuar rreth 10 mijë metra katrorë tokë në dy zona të ndryshme, të cilat u vendosën të konfiskohen për llogari të shtetit./Versus.al







