
Ministria e Bujqësisë shpall ndalim të menjëhershëm të tregtimit dhe lëvizjes së dhenve dhe dhive për shkak të përhapjes së murtajës
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka lëshuar një njoftim urgjent, duke u bërë thirrje të gjithë fermerëve dhe tregtarëve të kafshëve në Shqipëri që të ndalojnë menjëherë shitjen dhe blerjen e dhenve dhe dhive.
Ky paralajmërim vjen si masë emergjente për të frenuar përhapjen e sëmundjes së rrezikshme të murtajës së ruminantëve të vegjël.
Në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale, ministria thekson se ndalohet rreptësisht çdo formë lëvizjeje të këtyre kafshëve nga një fermë në tjetrën. Çdo shkelje e këtij urdhri do të përbëjë vepër penale dhe do të ndiqet sipas ligjit.
Sëmundja e murtajës është një infeksion viral tejet ngjitës, që prek ruminantët e vegjël si delet dhe dhitë, me shkallë të lartë ngordhjeje — në disa raste deri në 100% të tufës së prekur. Megjithëse nuk paraqet rrezik për shëndetin e njeriut, ajo sjell pasoja të rënda ekonomike për blegtorinë.
Rasti i parë i konfirmuar i sëmundjes u raportua më 4 qershor në fshatin Postribë të Shkodrës, dhe që atëherë ajo është përhapur drejt jugut të vendit, duke vënë në alarm autoritetet veterinare.
Thirrja urgjente e Ministrisë:
Nisur nga disa raste të shkeljes së detyrimeve ligjore lidhur me lëvizjen, shitjen dhe blerjen e kafshëve, të cilat janë referuar menjëherë në organet e ndjekjes penale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural iu bën thirrje fermerëve se:
NDALOHET
Rreptësisht lëvizja e kafshëve nga ferma në fermë;
Shitja e kafshëve të llojit dhen dhe dhi, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë;
Blerja e kafshëve të llojit dhen dhe dhi, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
LEJOHET vetëm lëvizja e kafshëve të llojit dhen dhe dhi për në thertore, të pajisura me certifikatë shëndetësore veterinare nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit.
Bashkëpunimi i të gjithë aktorëve do të kufizojë përhapjen e infeksionit.
Fermerë: mos rrezikoni tufën tuaj.
Tregtarë: Mos rrezikoni ekonominë blegtorale te vendit.
Mbrojmë tufat tona – Mbrojmë të ardhmen blegtorale të Shqipërisë./Versus.al







