
Durrës- Një tjetër rast i tentativës për të futur në Shqipëri naftë kontrabandë është zbuluar një ditë pasi u kapën 670 mijë litra naftë kontrabandë nga Tunizia.
Këtë herë, janë sekuestruar 400 mijë litra naftë kontrabandë nga i njëjti shtet, ndërsa janë identifikuar 10 personat e përfshirë. Gjatë operacionit të koduar “Ari i Zi 2”, u arrestuan 6 persona, 5 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, mes tyre edhe marinarë shqiptarë, ndërsa u shpallën në kërkim 2 organizatorët, Jurxhin Koka dhe Serxha Sula.
Në pranga ranë, Mohammed Sallit, 56 vjeç, kapiteni i anijes, Ëissan Broud, 42 vjeç, ndihmës i oficerit të parë, Hassan Broud, 47 vjeç, shefi i inxhinierëve, Sami Shanta, 25 vjeç, shefi i ofiçinës, Faez Ismaeil, 23 vjeç, mirëmbajtës i pompave të naftës, si dhe shtetasi shqiptar Nedio Mejdani, 34 vjeç, oficer i parë i anijes.
Nafta ishte fshehur në ballastrat e anijes që shërbenin për balancim. Ndërsa për operacionin e zhvilluar një ditë më parë ku u sekuestruan 670 mijë litra naftë kontrabandë, u arrestuan 3 persona, ndërsa për 5 të tjerë nisi hetimi në gjendje të lirë. Versus.al







