AKTUALITET /

Arrestimi i vëllait të deputetes së PD, i riu jetonte si “fantazmë” në Romë, italianët e krahasojnë me mafiozin e rrezikshëm

Shkruar nga Versus
Arrestimi i vëllait të deputetes së PD, i riu jetonte si
Deputetja Elda Hoti, vëllai Markelian Hoti, në mes krimineli David Turmel

Arrestimi i 27 vjeçarit Markelian Hoti në Romë ka bërë shumë bujë në mediat shqiptare për faktin se i riu është edhe vëllai i deputetes së PD, Elda Hoti. Mediat italiane bënë me dije se ai u arrestua në një hotel ku fshihej së bashku me të dashurën e tij që pas lëshimit të një urdhër arresti europian ndaj tij në janar të këtij viti.

Hetimet ndaj Hotit u përshkallëzuan pas kapjes së 50 kg kokainë të fshehur në kontejnerë në Belgjikë. Në shtetin belg një vepër penale si trafiku i drogës dënohet deri në 15 vite. Pas kapjes së ngarkesës, i riu u zhduk.

U deshën disa muaj kërkime që hetuesit të binin në gjurmët e tij në Itali. Hetimi u finalizua nga Skuadra “Flying” e Policisë së Shtetit në Romë, e drejtuar nga Roberto Pititto. Hoti u lokalizua në një apartament B&B në rrugën Via Giovanni Cicali. Ai kishte arritur të jetonte si një “fantazmë”, pasi pronari i strukturës akomoduese nuk kishte regjistruar të dhënat e tij në portalin policor “Alloggiati Web”, sistem që përdoret për njoftimin e autoriteteve mbi identitetin e personave që akomodohen në struktura turistike.

Krahasimi i tij me kriminelin e rrezikshëm Dave Turmel

Pas publikimit të detajeve rreth mënyrës sesi ishte fshehur, mediat italiane e kanë krahasuar Hotin me Dave Turmel, i cili njihet me nofkën “Pik” dhe ishte një ndër njerëzit më të kërkuar në Kanada. Turmel i dyshuar si kreu i organizatës kriminale “Blood Family Mafia” (BMF), u arrestua në mars të vitit të kaluar në zonën Tor Bella Monaca në Romë, pas një periudhe arratie ndërkombëtare. Ai ishte në kërkim për trafik droge dhe përfshirje në luftëra të dhunshme për kontroll territori në Quebec, ku sipas mediave lokale disa viktima ishin torturuar dhe gjymtuar. Arrestimi i tij u realizua pas një sinjalizimi nga Interpoli dhe ai aktualisht ndodhet në burgun e Regina Coeli, në pritje të ekstradimit.

Krahasimi mes dy figurave është për faktin se edhe Turmel ishte fshehur në periferi të Romës duke tentuar t’i shpëtonte urdhër arrestit ndërkombëtar. Versus.al

Poll