Parkimet në Tiranë janë bërë një ‘torturë’ e përditshme për drejtuesit e mjeteve të cilët shpesh herë detyrohen ta parkojnë makinën e tyre edhe në vende ku nuk lejohet për shkak se nuk gjejnë mundësi tjetër.
Së fundmi, gazetari Isa Myzyraj ka ngritur pikërisht këtë problem duke vënë në dukje edhe faktin se si pasojë e aksionit për lirimin e hapësirave publike në zonën e Freskut, u prish një parking për automjetet.
Për pasojë, zona është ende e mbuluar nga inertet, ndërsa shoferët janë detyruar që të gjejnë zgjidhje duke parkuar në rrugë edhe pse nuk lejohet. Megjithatë, gazetari nënvizon faktin se policia rrugore është në dijeni të zonave ku parkohet si mos më keq duke bllokuar edhe ambulancën, por zgjedh që të gjobisë mjete në rrugë ku qarkullimi është i garantuar. Sipas tij duhet që më parë policia të lirojë rrugët problematike me makina të parkuara nga të dyja anët dhe më pas të merret me parkimet e tjera të paligjshme.
Postimi i plotë:
Pas 6 muajsh parking në të njëjtin vend mora një gjobë në fundjavë.
Ky status nuk ka për qëllim trajtimin e gjobës në vetvete por qasjen agresive të policisë.
Kur nisi lirimi i hapësirave publike, u prish parkingu i lagjes në Fresk. (FOTOJA 1)
Parkingu thjesht u mbyll dhe u prish, poseduesit ikën në drejtim të paditur ndërsa hapësira mbeti gërmadhë që prej asaj dite.
Për pasojë, banorët gjetën zgjidhe të parkonin në rrugë.
Opsioni i parë që unë kurrë nuk e kam shfrytëzuar është të parkosh makinën poshtë pallatit (fotoja 2)
Ky lloj parkingu, që nuk shqetëson policët që dalin për të gjuajtur gjoba në fakt është jo vetëm antiligjor por edhe i rrezikshëm.
Aty nuk kalon dot as policia e as zjarrfikësja e as ambulanca në raste emergjente, por kjo prap nuk shqetëson policinë e cila bën xhiro gjithë ditën nëpër tiranë.
Në këto kushte, unë kam zgjedhur për ta lënë makinën në rrugën kryesore fotoja (3)
Unë jam i vetëdijshëm që lënia e makinës aty nuk është ligjore, por hapësira e kalimit të automjeteve të tjera është e bollshme dhe përpara se të vendosin mua gjobë duhet të sigurohen që ligjin e kanë zbatuar vetë ata. Me pak fjalë mua nuk më vjen keq që gjobitem unë dhe jo komshiu im për shembull, më vjen keq që ne kemi një polici tërësisht të paditur dhe tërësisht abuzive e cila një zot e di mbi ç’ligj funksionon?!
Tek e fundit pse duhet unë ta zbatoj pikë për pikë ligjin kur vetë shteti nuk e zbaton?
Pse hapësira e xanun e parkingut është lënë si një gërmadhë ngjitur me një shkollë dhe në mes të lagjes ?
Ku i ka sytë kjo polici e cila sheh që rruga emergjente mes pallateve është e zënë 24 orë dhe nuk reagon asnjëherë ?
Nëse të gjitha këto rregullohen dhe policia zbaton ligjin pikë për pikë, atëherë u sugjeroj që makinën time herën tjetër ta marrin me karrotrec. Versus.al

