
Efektivët blu kanë vënë në pranga djalin e gjeneralit të bandës famëkeqe në Tiranë, Nehat Kullës.
Robert Kulla 43 vjeç është kallzuar në polici nga njerka e tij për dhunë në familje.
Sipas policisë dyshohet se 43-vjeçari ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj njerkës së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës.
Shkak i konflikti mes Robert Kullës dhe njerkës së tij është vila e ‘gjeneralit’ të bandës famëkeqe pasi të dy kanë certifikatë pronësie dhe akuzojnë njëri-tjetrin për falsifikim.
Kujtojmë se Nehat Kulla ndërroi jetë në 2020, një vit pasi doli nga burgu.
Ai ishte dënuar me 20 vite burg për vrasjen me paramendim të shtetasit Halim Gjuzi, ish-shoferi i ish-zv.ministrit të Arsimit, Halit Shamati.
Banda e Nehat Kullës ka qenë mjaft aktive në vitet 1997-1998 në zonën e Tufinës në Tiranë.
Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mbajtën repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin R. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Dhuna në familje", "Vetëgjyqësia", dhe "Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës".
Ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës.







