AKTUALITET /

Audiorregjistrimi / "Do merrem personalisht..." Përplasje në gjyq, avokati në pranga pas debatit me prokurorin

“Mos kërcëno ose të nxjerr përjashta”/ Zbardhet audio-përgjimi, si u përplasën në sallën e gjyqit avokati Ulian Barjami dhe prokurori

Shkruar nga Versus

Audiorregjistrimi / "Do merrem personalisht..." Përplasje në
Janë zbardhur detajet e përplasjes së ndodhur në sallën e gjyqit ditën e djeshme, që çoi në arrestimin e avokatit Ulian Bajrami, pas një debati të ashpër me përfaqësuesin e akuzës dhe ndërhyrjes së gjyqtares.

Burime nga salla bëjnë me dije se gjithçka nisi pas paraqitjes së kërkesës së prokurorit për caktimin e masës së sigurisë dhe vlerësimin e arrestit ndaj një të pandehuri.

Avokati Ulian Bajrami, në cilësinë e mbrojtësit, ka kundërshtuar provat e paraqitura nga prokuroria, duke deklaruar: “Kërkesa e prokurorit për caktim mase dhe vlerësim arresti bazohet në disa prova, një ndër to tregon pasqyrim të rremë të të dhënave. Do merrem personalisht me prokurorin dhe oficerët e policisë gjyqësore. Do të bëj kallëzim.”
Deklarata e tij ka tensionuar situatën në sallë, ndërsa prokurori është dëgjuar të thotë: “Do arrestohet ai.”

Situata është përshkallëzuar në një përplasje të drejtpërdrejtë, duke detyruar gjyqtaren të ndërhyjë me tone të forta për të rikthyer rendin: “Hera e fundit! Nuk funksionon me kërcënime në sallën e gjyqit. Nuk ka rëndësi çfarë bëni jashtë kësaj salle, ky lloj komunikimi këtu nuk lejohet. Përqendrohu tek mbrojtja, ose do të të nxjerr jashtë dhe do të caktoj një avokat kryesisht. Ky është paralajmërimi i fundit.”
Pas përfundimit të seancës, avokati Bajrami është ndaluar nga policia dhe më pas është shoqëruar në komisariat me urdhër të prokurorit të çështjes. Ndaj tij pritet të merret një vendim për masën e mëtejshme. Ngjarja ka hapur debat për sjelljen në sallat e gjyqit dhe kufijtë e komunikimit mes palëve.

Poll