AKTUALITET /

Prokuroria: 20 zyrtarë në gjyq për “shpërdorim detyre”. Dëmi mbi 500 milionë lekë në Ministrinë e Bujqësisë

Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në lidhje me 7 procedura prokurimi me vlerë totale 525 milionë lekë (pa TVSH), të zhvilluara nga institucione në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Shkruar nga Versus

Prokuroria: 20 zyrtarë në gjyq për “shpërdorim
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 20 nëpunës publikë, të cilët akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Të hetuarit janë shtetasit: M.K., E.H., G.Xh., I.A., A.Gj., L.K., E.P., L.H., M.P., E.F., A.L., E.R., I.B., A.Z., A.Gj., S.P., A.I., A.Dh., K.N. dhe A.A.

Sipas Prokurorisë, këta persona, të gjithë me funksione publike, kanë vepruar në kundërshtim me ligjet që rregullojnë proceset e prokurimit publik, duke dëmtuar interesat e shtetit në vlerë të konsiderueshme.

Nisja e hetimeve nga kallëzimi i KLSH
Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në lidhje me 7 procedura prokurimi me vlerë totale 525 milionë lekë (pa TVSH), të zhvilluara nga institucione në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Konkretisht, shkeljet lidhen me prokurime të zhvilluara kryesisht me negociim pa shpallje paraprake, që përfshinin:

Shpenzime për mbrojtjen e bimëve dhe luftimin e parazitëve në bujqësi
Blerje pajisjesh për shërbimin veterinar (motoçikleta, kaska, veshje, doreza, çanta)
Blerje gjedhësh për dëmshpërblimin e fermerëve të prekur nga dermatoza nodulare
Sisteme monitorimi me kamera për hidrovoret

Prokuroria thotë se gjatë procedurave janë evidentuar mangësi të pajustifikuara në përcaktimin e kritereve të mallrave të kërkuara, ndërkohë që testimi i tregut është kryer në mënyrë fiktive, duke ngritur dyshime serioze mbi transparencën dhe ligjshmërinë e procedurave të ndjekura.

Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës vlerësoi se ekziston bindje e bazuar në prova se të pandehurit kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik dhe duke cenuar interesat e shtetit dhe qytetarëve.

 

Poll