Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa reflektime personale në episodin e tretë të sezonit të ri të podcastit të tij “Flasim”, ku foli si rrallëherë për jetën e tij private, raportin me kohën dhe qëndrimin e tij në politikë.
Rama pranoi se, ndonëse ka kaluar të 50-at, pjesën më të madhe të jetës e kalon i mbyllur mes katër mureve, larg natyrës dhe rutinës së zakonshme:
“Rri në natyrë shumë më pak nga sa duhet të rri në të vërtetë. U bë kohë që i kam kaluar të 50-at. Natyra ime janë muret, koha kalon më tepër mes katër mureve dhe çdo vit kalon më shpejt se viti paraardhës. Kur kthen kokën pas, mahnitesh se si ka kaluar shpejt koha.”
I pyetur nëse e ka menduar ndonjëherë largimin nga detyra dhe politika, Kryeministri u shpreh qartë se motivimi i tij për të vijuar nuk është zbehur, përkundrazi, “zjarri” është ende i gjallë:
“Lëre këtë punë për mua është sipërfaqësore. Nuk vjen nga thellë. Nuk e kam ndjerë si ndjesi të brendshme që më detyron të largohem. Po të më ishte shuar zjarri, do ta dija se ka ardhur fundi. Mua nuk më është shuar zjarri.”
Rama e përshkroi politikën si një fushë të vështirë, plot me përgjegjësi dhe vendime të përditshme, që shpesh kërkojnë përballje të vetmuar me pasojat:
“Kjo është një histori ngjitjesh e zbritjesh. Në momente të caktuara ndihesh i rrëzuar. Ka shumë presion, stres, madje edhe dhimbje fizike. Është e pamundur t’ia shpjegosh dikujt që, kur arrin në majë, je vetëm jo në kuptimin fizik, sepse kam pranë gjysmën time më të mirë, por në momentin e marrjes së vendimit, je vetëm sepse vetëm ti do të përballesh me pasojat.”







