Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka publikuar një letër të hapur kritike në lidhje me mënyrën si po zhvillohen raportimet vjetore të institucioneve të pavarura në Kuvendin e Shqipërisë. Duke reflektuar nga një “regjim i kufizuar” ku ndodhet aktualisht, Beqaj kritikon ashpër si drejtuesit e institucioneve, ashtu edhe deputetët, për shmangien e pyetjeve thelbësore dhe mungesën e vërtetë të mbikëqyrjes parlamentare.
“Kuvendi nuk mund të mjaftohet me dëgjime formale. Duhet të kërkojë përgjigje konkrete, afate dhe masa korrigjuese. Pavarësia nuk do të thotë mungesë llogaridhënieje,” shkruan Beqaj në letrën e publikuar në rrjetet sociale.
Ai përmend se ka ndjekur për dy vite me radhë transmetimet e raportimeve të institucioneve të drejtësisë si KLGJ, KLP, ILD, por edhe institucioneve të tjera të “pavarura” si ERRE, AKEP, ERRU, Banka e Shqipërisë dhe AMF, duke vërejtur se pyetjet thelbësore nuk janë bërë fare ose janë anashkaluar qëllimisht.
Beqaj: “Kam zgjedhur pyetjet. Ju?”
Në një ton kritik dhe reflektues, Beqaj ngre një seri pyetjesh direkte, që sipas tij duhet të ishin bërë nga Kuvendi për të testuar vërtet funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Ai ngre shqetësime mbi:
Përgjimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese
Mosrespektimin e vendimeve të Kushtetueses nga Apeli i GJKKO-së
Mosemërimin e drejtuesve të përhershëm në gjykata nga KLGJ
Vendime kontradiktore nga Gjykata e Lartë
Përdorimi i standarteve të vjetruara në vlerësimin e veprave penale
Zgjatja e përgjimeve pa bazë ligjore
Praktika të diskutueshme në sekuestrimet e pajisjeve dhe provave digjitale
Përdorimi i teknologjive të pasigurta në laboratorët e kriminalistikës
“Kur prokuroritë dhe gjykatat shkelin ligjin, çdo garanci bëhet formale. Ligji nuk është ‘orientues’, është detyrim,” shkruan ai.
Beqaj gjithashtu vë në dukje se shumë prej institucioneve nuk respektojnë standardet ndërkombëtare për prova digjitale, ndërsa laboratorët shqiptarë të kriminalistikës vijojnë të funksionojnë pa certifikim të duhur apo teknologji të përditësuar.
Kritika edhe për deputetët
Pjesë e letrës është edhe kritika për deputetët e Kuvendit, të cilët sipas Beqajt, “fshihen pas justifikimit se institucionet janë të pavarura dhe nuk duhet të ngacmohen.”
Ai thekson se pavarësia institucionale nuk përjashton llogaridhënien, dhe se Kuvendi ka detyrimin jo vetëm të dëgjojë, por të analizojë dhe të kërkojë llogari.
“Mos më dëgjoni për emrin, por për pyetjet”
Në fund të letrës, Beqaj parashikon kritikat që mund t’i vijnë, duke e pranuar se vetë ka qenë pjesë e sistemit kur u votuan ligjet e reformës në drejtësi. Por, sipas tij, rëndësi nuk ka kush i bën pyetjet, por nëse ato janë të vërteta.
“Unë, nga ky regjim i kufizuar, kam zgjedhur pyetjet. Ju?”, përfundon ai.







