AKTUALITET /

Banda e Laert Haxhiut kapet me telefona në burg – Operacionalja zbardh bisedat dhe heton “furnitorin” që çoi porositë jashtë qelisë

Pamjet filmike të kamerave të sigurisë janë sekuestruar dhe po analizohen për të identifikuar saktësisht personat që kanë tentuar të zhdukin provat

Shkruar nga Versus

 

Banda e Laert Haxhiut kapet me telefona në burg – Operacionalja
Laert Haxhiu

Një operacion i befasishëm i skuadrës speciale të Policisë së Burgjeve ka zbuluar një rrjet të paligjshëm komunikimi brenda ambienteve të burgut të sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, ku janë të izoluar disa nga figurat më të rrezikshme të krimit në Shqipëri. Në qendër të këtij rrjeti qëndron Laert Haxhiu, i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili është interceptuar duke zhvilluar dhjetëra telefonata me persona jashtë qelisë.

Sipas të dhënave zyrtare, kontrolli është kryer mëngjesin e datës 29 qershor 2025, në sektorin 2, godina “A”, kati i parë, në dhomat Nr. 4, 5 dhe 6. Në këto dhoma vuajnë dënimin me burg përjetë Laert Haxhiu, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili, të gjithë të dënuar për vrasjen e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit në vitin 2017. Në dhoma ngjitur me ta ndodhen edhe Vladimir Kurti dhe Xhensi Lipo, gjithashtu të dënuar për vepra të rënda penale.

Gjatë kontrollit u sekuestruan katër telefona celularë – dy të markës “iPhone”, një “Samsung” dhe një tjetër i dëmtuar – si dhe pajisje të tjera ndihmëse si kufje “Awei” dhe “Ipods”, fisha karikimi dhe mjete të tjera për komunikim të ndaluar. Policia bën me dije se aparatet janë hedhur nga dritaret e dhomave përpara se të hynte skuadra e operacionales, në përpjekje për të fshehur provat. Telefonat u gjetën mes dritareve të dhomave Nr. 4 dhe 5, ndërsa një tjetër u gjet i fshehur në pjesën e krevatit të Haxhiut, në dhomën Nr. 6.

Pamjet filmike të kamerave të sigurisë janë sekuestruar dhe po analizohen për të identifikuar saktësisht personat që kanë tentuar të zhdukin provat. Paralelisht, telefonat do t’i nënshtrohen ekspertizës kompjuterike për të zbuluar përmbajtjen e bisedave, kontaktet dhe çdo material që mund të ndihmojë në zbardhjen e kësaj skeme të organizuar.

Prokuroria e Korçës ka nisur një procedim penal për veprën “Futja e sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”. Të dyshuar në këtë dosje janë Laert Haxhiu, Anterio Kaloshi, Orgest Bilbili, Vladimir Kurti dhe Xhensi Lipo. Sipas burimeve zyrtare, hetimi është në fazat e para dhe ende nuk është zbuluar burimi që ka bërë të mundur futjen e telefonave në ambientet e sigurisë së lartë. Ndryshe nga sa është raportuar nga disa media, pajisjet nuk janë sekuestruar nga SPAK, por ndodhen në administrimin e Prokurorisë së Korçës.

Pas gjetjeve të bëra, drejtoria e burgut ka urdhëruar izolimin e menjëhershëm të Laert Haxhiut dhe ka marrë masa shtesë për sigurinë në sektorin ku qëndrojnë të dënuarit përjetë. Ky rast ka ngritur sërish alarmin për kushtet e sigurisë në burgjet shqiptare, duke vënë në pikëpyetje funksionimin real të sistemit të kontrollit të brendshëm dhe mundësinë e përfshirjes së stafit në aktivitete të paligjshme.

Hetimet vijojnë, ndërkohë që autoritetet po punojnë për të zbardhur të gjithë rrjetin që ka lehtësuar dhe garantuar këtë sistem të ndërlikuar komunikimi nga brenda qelive. Rasti i fundit shton trysninë mbi autoritetet penitenciare për të marrë masa drastike ndaj fenomenit të shpërndarjes së mjeteve elektronike në burgje dhe për të garantuar izolimin real të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë. /Versus.al

Poll