SPAK ka arritur të zbardhë aktivitetin me një shtrirje të gjerë kriminale të vëllezërve, Franc dhe Hajdar Çopja, të cilët kanë drejtuar një organizatë të fuqishme të trafikut të drogës, kanë pastruar paratë e krimit duke investuar në sektorin e ndërtimit dhe në kompani të ‘vjetra’, si dhe kanë urdhëruar vrasje me pagesë. Ata kanë tentuar të ekzekutojnë edhe emra të njohur për organet e drejtësisë, si Nuredin Dumanin, Erion Alibejn, etj.
Por, aktiviteti i tyre shtrihet edhe me gjerë se kaq duke arritur deri në degët e sistemit të drejtësisë.
Sipas hetimeve të bëra nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion rezulton se vëllezërit Çopja kanë korruptuar edhe shumë persona përgjegjës të organeve të drejtësisë, si gjyqtarë, prokurorë apo funksionarë të tjerë.
Gjithashtu ata kanë rekrutuar dy punonjës Policie për të kryer veprime në kundërshtim me detyrën për llogari të organizatës kriminale.
SPAK bën me dije po ashtu se, kanë zbuluar edhe faktin penal të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, nga një punonjëse e administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kryer gjatë periudhës kohore shtator – tetor të vitit 2020, në Elbasan./ Versus.al







