Britania e Madhe ka hequr mbi 12 mijë postime në rrjete të ndryshme sociale si “Instagram”, facebook dhe tiktok ku reklamoheshin mundësi kalimi ilegale drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Pjesë e këtyre postimeve, ishin edhe ato të bëra nga kontrabandistë shqiptarë të cilët publikonin në rrjete sociale njoftime për nisjen e udhëtimeve ilegale, me gomone apo kamionë drejt Anglisë në këmbim të shumave deri në mijëra euro.
Në një prej reklamave të hequra nga rrjetet sociale shkruhet në shqip “Ne i çojmë njerëzit në Britaninë e Madhe me skaf, e përfundojmë si punë për 45 minuta” duke u siguruar kalimin edhe në shtete të tjera të Evropës për ata që kishin masë “ekspuls”.

Udhëheqësi i NCA-së për kërcënimet e krimit të organizuar të imigracionit, Dan Barcroft, tha: “Mediat sociale janë kyçe për mënyrën se si funksionojnë këto grupe të krimit të organizuar, kështu që fshirja e tyre ka një efekt të drejtpërdrejtë në ndërprerjen e operacioneve dhe aktivitetit të tyre kriminal”.
Me ardhjen në pushtet të laburistëve në Britaninë e Madhe, u anullua plani për dërgimin e azilkërkuesve në Ruanda, duke pranuar kështu kërkesat e 90 mijë personave për azil në Mbretërinë e Bashkuar. Pjesë e përfituesve janë edhe emigrantë të paligjshëm shqiptarë që kanë rrezikuar jetën për të mbërritur me gomone në Britani. Versus.al







