AKTUALITET /

Biznesmeni e paditi për shpifje, GJKKO shpall të pafajshëm deputetin e PS Erion Braçe

Çështja lidhej me një konflikt pronësie në zonën e Imshtës në Lushnje, ku palët kishin pretendime të kundërta për një sipërfaqe toke të përdorur për një park fotovoltai

Shkruar nga Versus

Biznesmeni e paditi për shpifje, GJKKO shpall të pafajshëm

Deputeti socialist Erion Braçe është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Posaçme, pas një padie për shpifje të ngritur ndaj tij nga biznesmeni Anduel Çekrezi.

Çështja lidhej me një konflikt pronësie në zonën e Imshtës në Lushnje, ku palët kishin pretendime të kundërta për një sipërfaqe toke të përdorur për një park fotovoltaik.

Biznesmeni Çekrezi pretendonte se është pronar i ligjshëm i tokës së blerë rregullisht, ndërsa deputeti Braçe këmbëngulte se bëhej fjalë për tokë publike dhe se në zonë ishte ndërhyrë edhe në shtratin e lumit Seman.

Gjatë procesit gjyqësor, Gjykata e Posaçme dëgjoi palët dhe argumentet e mbrojtjes, duke rrëzuar pretendimin për shpifje ndaj deputetit dhe duke vendosur në favor të tij.

Avokati i biznesmenit paraqiti dokumentacionin e pronësisë, duke theksuar se titujt e pronësisë janë të rregullt dhe të njohur nga institucionet shtetërore. Ndërkohë, pala paditëse argumentoi se deklarimet publike të Braçes kishin cenuar reputacionin e klientit të tij.

Nga ana e tij, Anduel Çekrezi u shpreh se çështja nuk kishte të bënte vetëm me pronën, por edhe me mbrojtjen e dinjitetit qytetar dhe reputacionit të tij profesional.

Erion Braçe, gjatë seancës, falënderoi gjykatën për mundësinë që çështja të trajtohej në rrugë ligjore, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të ligjit dhe rolit të institucioneve në zgjidhjen e konflikteve.

Me vendimin e saj, Gjykata e Posaçme rrëzoi padinë për shpifje dhe shpalli të pafajshëm deputetin Erion Braçe. Versus.al

Poll