
Duke nisur nga data 11 qershor, qytetarët do të kenë në dispozicion një platformë të re online për raportimin e abuzimeve dhe shkeljeve të ligjit nga bizneset apo institucionet publike.
Lajmi u bë i ditur nga kryeinspektori i përgjithshëm, Dashnor Sula, gjatë një takimi të zhvilluar në Durrës.
Sipas tij, platforma “sigurt.gov.al”, së bashku me Linjën e Gjelbër, do të shërbejë për denoncimin në kohë reale të çdo rasti abuzimi apo shkeljeje, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
“Me datë 11 qershor do të hapet platforma informuese dhe sinjalizuese sigurt.gov.al, si dhe Linja e Gjelbër, ku çdo qytetar mund të raportojë çdo shkelje të ligjit apo abuzim nga subjektet që veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme ndaj pushuesve dhe turistëve,” deklaroi Sula.
Ai njoftoi gjithashtu ngritjen e një taskforce të posaçme përgjatë vijës bregdetare, me qëllim monitorimin e aktiviteteve tregtare dhe garantimin e respektimit të standardeve ligjore.
Sipas tij, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sigurisë ushqimore gjatë sezonit veror, ku Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të jetë në gatishmëri të plotë për të parandaluar çdo rast abuzimi.
Gjatë takimit në Durrës, Sula kërkoi angazhim maksimal nga inspektoratet rajonale, duke theksuar nevojën për vigjilencë të shtuar në periudhën me fluks të lartë turistësh dhe pushuesish.Versus.al

