Blerina Basha, nëna e tre fëmijëve që dyshohet se janë braktisur ndërkohë që rezultonin të infektuar me zgjebe, ka reaguar duke mohuar akuzat dhe duke sqaruar rrethanat e vështira sociale e ekonomike në të cilat ndodhej.
Në deklaratën e saj, Basha thotë se ka punuar me dy turne për të siguruar jetesën e fëmijëve, pasi nuk ka pasur asnjë mbështetje familjare në Shqipëri. Sipas saj, prindërit jetojnë në Francë dhe nuk ka të afërm që ta ndihmojnë për kujdesin ndaj fëmijëve.
Ajo shpjegon se në vitin 2025, pas një propozimi nga ish-bashkëshorti, u bashkuan përkohësisht për të shkuar në Itali, ku ai përgatiti dokumentet për fëmijët. Më pas, sipas saj, ish-bashkëshorti vendosi të largohej dhe ia la fëmijët asaj, duke i kërkuar të qëndronte me të, gjë që ajo refuzoi.
Basha thotë se u kthye në Shqipëri për procedura dokumentesh dhe, duke mos dashur të ndahej nga fëmijët, i mori me vete dhe i regjistroi në shkollë. Në nëntor të vitit të kaluar, sipas saj, shkolla e njoftoi për mungesat e dy djemve, pasi ajo nuk kishte mundësi t’i çonte çdo ditë për shkak të punës. Në të njëjtën periudhë, fëmijët u diagnostikuan me zgjebe.
Sipas deklaratës, ish-bashkëshorti i ka dhënë vetëm 180 mijë lekë të vjetra si ndihmë për tre fëmijët, një shumë që, sipas saj, nuk mjaftonte për nevojat bazë.
Deklarata e plotë e Blerina Bashës:
Kam punuar me dy turne për të mbajtur fëmijët, sepse nuk kam pasur asnjë mbështetje familjare. Prindërit e mi jetojnë në Francë dhe nuk kam asnjë të afërm këtu që të më ndihmojë për kujdesin ndaj tyre.
Në vitin 2025, ish-bashkëshorti më propozoi të bashkoheshim për të ikur në Itali. U bashkuam dhe ai u përgatiti dokumentet fëmijëve. Në shtator më tha se nuk do të qëndronte më në Itali dhe m’i la fëmijët mua. Më kërkoi të rrija me të, duke thënë se nuk i mbante dot vetëm.
Unë qëndrova rreth tre muaj në Shqipëri për procedurat e dokumenteve dhe, sepse nuk mund të rrija pa fëmijët, i mora me vete për t’u kthyer. Diskutuam që fëmijët të qëndronin me të atin në Itali, por unë nuk mund t’i lija larg, ndaj i mora dhe i regjistrova në shkollë këtu.
Në nëntor vjet, shkolla më njoftoi se dy djemtë nuk po shkonin në shkollë, pasi nuk kisha mundësi t’i çoja çdo ditë. Në atë periudhë, fëmijët rezultuan edhe me zgjebe. U komunikova situatën dhe kërkova ndihmë nga bashkia, duke kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve sociale që të merrnin masa për rastin tim.
Bashkia nuk ka vepruar. Më thirrën në shkollë për mungesat e fëmijëve dhe u shpjegova se nuk kam mundësi të qëndroj e mbyllur në shtëpi me ta, pa punuar. U thashë se, nëse do të më ndihmonin konkretisht me shërbime sociale, do të qëndroja me fëmijët, por në kushtet kur nuk kishte ndihmë reale, isha e detyruar të punoja.
Nuk qëndrova tek ish-bashkëshorti, sepse nuk mund të jetoj me një person nga i cili jam e ndarë. Ai më ka dhënë vetëm 180 mijë lekë të vjetra si ndihmë për tre fëmijët, një shumë që nuk më mjaftonte, ndaj nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të shkoja në punë./Versus.al


