AKTUALITET /

Buka në Korçë 150 lekë, Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e tregut

Në rast se gjenden shkelje të ligjit, bizneset do të ndëshkohen me gjobë prej 10% të xhiros së vitit paraardhës.

Shkruar nga Versus

Buka në Korçë 150 lekë, Autoriteti i Konkurrencës nis

Një ditë pas lajmit për rritjen e çmimit të bukës në Korçë nga 120 lekë në 150, Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka nisur monitorimin e tregut të shitjes së bukës.

Rritja e njëkohshme me mbi 25% të çmimit në disa furra buke, u trajtua si një ndër pasojat e kostove të rritura pas shembjes së rrugës Librazhd-Prrenjas që izoloi juglindjen.

Në zbatim të ligjit 9121/2003 “për mbrojtjen e konkurrencës” Autoriteti i Konkurrencës njofton se në mënyrë të menjëhershme po realizon kontrolle në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet nga ndërmarrjet dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Në njoftim theksohet se ligji ndalon të gjitha marrëveshjet mes bizneseve të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.

Gjithashtu shtohet se në rast se gjendjen raste të shkeljes së ligjit, do të ketë ndëshkim me gjobë deri në 10% të xhiros së vitit paraardhës. Versus.al

Poll