Tiranë- Një rast abuzimi me tokat është zbuluar së fundmi në fshatin Mëzez. Për rrjedhojë, policia ka ekzekutuar masat e sigurisë për 5 persona, mes të cilëve 3 zyrtarë të Kadastrës të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Në pranga për rastin kanë rënë Denis Bakalli, 45 vjeç dhe Imer Çelaj, 59 vjeç të cilët dyshohen si përfituesit e tokës me sipërfaqe 2350 m². Hetimet e deritanishme sugjerojnë se kemi të bëjmë me një falsifikim dokumentesh në mënyrë që toka e cila ishte nën pronësinë e një personi tjetër, t’u jepej 2 të arrestuarve të cilët kanë bashkëpunuar me punonjësit e kadastrës. Ndaj këtyre të fundit është caktuar pezullim nga detyra.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Kontrata”. Ekzekutohen masa sigurie për 5 shtetas, të akuzuar për falsifikim dokumentesh ose shpërdorim të detyrave. Vendoset sekuestro preventive mbi një sipërfaqe toke në fshatin Mëzez, që është përfituar në mënyrë të paligjshme nga 2 prej këtyre shtetasve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, organizuan dhe finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “Kontrata”, në kuadër të të cilit u ekzekutua vendimi i datës 03.03.2026, i Gjykatës së Tiranës, që ka caktuar masat e sigurisë për 5 shtetas, si vijon:
“Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, për shtetasin Denis Bakalli, 45 vjeç;
“Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, për shtetasin Imer Çelaj, 59 vjeç;
“Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit B. S., 49 vjeç, F. Z., 35 vjeç dhe Th. L., 41 vjeç, punonjës në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Nga hetimet dyshohet se shtetasit D. B. dhe I. Ç. kanë kaluar në pronësi të tyre një sipërfaqe toke 2350 m² në fshatin Mëzez, që ishte pronësi të një shtetasi tjetër, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, në bashkëpunim me 3 punonjësit e ASHK-së. Versus.al

