
Gazetarja Klodiana Lala e ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion’ bëri disa deklarata të forta lidhur me shkarkimet e fundit në Policinë e Shtetit. Lala tha se duke përfshirë edhe vetë ish-kreun e policisë, Ilir Prodën i cili u shkarkua disa ditë më parë, plot 70% e drejtorëve të policisë janë caktuar aty nga biznesmeni i shpallur në kërkim Ergys Agasi.
“E di kush i ka emëruar 70% të drejtorëve të policisë nëpër komisariate? Ergys Agasi, dhe unë mbaj përgjegjësi penale për këtë. Edhe drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Prodën”, deklaron gazetarja Klodiana Lala.
Ajo shtoi se “furtuna” mbi emrin e Prodës nisi që kur u diskutua një grup i strukturuar kriminal brenda AKSHI-t.
"Iu dha grada të pamerituara të gjithë rrethit të tij shoqëror, disa prej të cilëve u janë sekuestruar celularët. Së dyti, ka pasur lidhje okulte. Pas shpalljes në kërkim të Agasit, drejtorë të policisë i kanë prezantuar platformën Ylli Carës, ish-ortak i Prodës, biznesmen. Një personazh që është jo vetëm lidhje e ngushtë për Prodën, por ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë për caktimin e emrave. Drejtori është ndikuar nga ai”, deklaroi Lala për Prodën.
Më tej shtoi se ka një hetim penal pa emër të regjistruar, por i ndarë nga dosja e AKSHI-t për përfshirjen e policisë në rrëmbimin e Daniel Shimës. Versus.al

