AKTUALITET /

Dekonspirimi i operacionit ndaj bandës së Çopjave, merret në pyetje Rrumbullaku dhe shefi i Operacionales

Për shkak të numrit të ulët të personave të arrestuar, dyshohet se ka pasur dekonspirim të operacionit të SPAK ndaj bandës së Çopjave.

Shkruar nga Versus
Dekonspirimi i operacionit ndaj bandës së Çopjave, merret
Foto: Vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, ish-drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku dhe shefi i Operacionales Neritan Nallbati

Muhamet Rrumbullaku, ish-drejtori i policisë i dorëhequr pak ditë më parë, ka qenë në mesin e personave të marrë në pyetje për dekonspirimin e operacionit ndaj bandës së Çapjave në kuadër të të cilit u arrestuan vetëm 13 persona nga 33 urdhër arreste të nxjerra për operacionin e quajtur “Plumbi i artë 2”.

Ditën e djeshme u publikua lajmi për sekuestrimin e telefonit të Ilir Prodës për këtë çështje, drejtorit aktual të policisë së Elbasanit i cili ka shpallur edhe kandidaturën për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Ndërsa me detajet e bëra publike ditën e sotme nga Shqiptarja.com mësohet se përveç Prodës, në sitë janë marrë edhe deklarimet e ish-drejtorit të përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku, drejtori i Operacionales, Vilson Bala si dhe drejtori i departamentit të policisë kriminale, Neritan Nallbati i cili po ashtu kandidon për kreun e policisë së shtetit.

Dosja prej qindra faqesh e zbardhur nga Versus.al mbi krimet e bandës së Çopjave ndër vite në Elbasan, duke përmendur atë më të bujshmen ‘masakrën e Bradasheshit’ dhe grabitja e Rinasit, zbuloi edhe përfshirjen e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë duke nisur nga gjyqtarja Pajtime Fetahu e cila mori vendime në favor të bandës deri tek ish-zv drejtori i burgut të Bradasheshit Martin Musaj i cili u jepte informacion Çopjave mbi qelinë ku mbahej i burgosur rivali i tyre Erion Alibej për të cilin kishin planifikuar atentat “si në filma” me idenë për t’i vendosur tritol në qelinë e burgut, plan që fatmirësisht nuk u realizua.

Franc Çopja u ekstradua nga Dubai për në Belgjikë në dhjetor të vitit të kaluar pasi kërkohej nga drejtësia belge për një sërë krimesh si trafik lëndësh narkotike, planifikimin dhe financimin e Arjan Spahisë si dhe pastrimin e parave.

Ndërsa vëllai i tij Hajdar Çopja aktualisht mbahet i arrestuar në Dubai që prej muajit maj të këtij viti. Një prej të shumëkërkuarve që përmendej në dosjen e bandës së Çopjave është edhe Talo Çela për fatin e të cilit nuk dihet ende asgjë. Në komunikimet që kishte në “sky ecc” me anëtarëtë bandës kriminale ku kishte rol ‘rekrutues vrasësish’, Çela përmendte edhe planin për t’u arratisur dhe strehuar në Brazil me identitet tjetër. Versus.al

Poll