AKTUALITET /

Dënohet me 2 vite burg ish-kryebashkiaku i Prishtinës Shpend Ahmeti, nuk deklaroi 172 mijë euro nga pasuria

Përveç dënimit kryesor, Ahmeti u detyrua të paguajë edhe 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave.

Shkruar nga Versus

Dënohet me 2 vite burg ish-kryebashkiaku i Prishtinës Shpend Ahmeti,

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, për mosdeklarim të saktë të pasurisë, duke e dënuar me dy vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Vendimi u shpall këtë të premte nga kryetari i trupit gjykues, Leon Perllaska. Sipas gjykatës, dënimi me burg do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formë të prerë, ndërsa gjoba duhet të shlyhet brenda tre muajve nga plotfuqishmëria e vendimit.

Përveç dënimit kryesor, Ahmeti u detyrua të paguajë edhe 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave.

Nga ana tjetër, Gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së padeklaruar në vlerë prej 172 mijë e 600 euro.

Në seancën ku u shpall aktgjykimi ishte i pranishëm vetëm avokati mbrojtës i Ahmetit, Arbër Istrefi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale në dhjetor të vitit 2025, Ahmeti, gjatë kohës kur drejtonte Komunën e Prishtinës në periudhën 2018–2022, nuk kishte deklaruar saktë pasurinë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Prokuroria pretendonte se ai kishte lënë pa deklaruar 118 mijë e 200 euro të depozituara në llogaritë e tij personale, si dhe 54 mijë e 400 euro të depozituara në llogaritë e nënës së tij, duke e çuar shumën totale të mjeteve të padeklaruara në 172 mijë e 600 euro.

Ish-kryebashkiaku u akuzua për veprën penale "Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare", sipas Kodit Penal të Kosovës.

Vendimi nuk është ende i formës së prerë dhe mund të ankimohet në instancat më të larta gjyqësore./Versus.al

Poll