
Është anuluar zyrtarisht tenderi për ndërtimin e Portit të Ri tregtar në Porto Romano, një projekt me vlerë rreth 393 milionë euro pa TVSH.
Njoftimi është publikuar në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, ku thuhet se procedura është mbyllur pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk ka paraqitur ofertë financiare.
Në garë për këtë projekt ishte kompania “Achirodon”, ndërsa tenderi ka dështuar disa herë gjatë procedurave të zhvilluara.
Në garën e hapur në dhjetor të vitit 2024, morën pjesë pesë konsorciume, por vetëm një prej tyre arriti të kalonte në fazën finale për paraqitjen e ofertës teknike dhe ekonomike.
Më herët, një nga kompanitë pjesëmarrëse ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në lidhje me procedurën e tenderimit.
Gjithashtu, dy javë më parë, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle në zyrat e Autoritetit Portual Durrës, ku janë sekuestruar materiale në kuadër të hetimeve.
Projekti i Portit të Ri në Porto Romano mbetet kështu i pezulluar pas anulimit të radhës së tenderit./Versus.al

