Dhjetëra blegtorë dhe prodhues të qumështit janë mbledhur sot përpara Ministrisë së Bujqësisë, në një protestë kundër skemës kombëtare 2026, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj politikave qeveritare dhe duke paralajmëruar rrezik falimenti për sektorin.
Me pankarta si “Stop importit të qumështit”, “Formalizoni tregun e bulmetit” dhe “Bojkotoni firmat serbe”, fermerët kanë kërkuar ndërhyrje urgjente për mbështetje më të madhe financiare dhe mbrojtje të prodhimit vendas. Ata theksojnë se skema e re nuk përbën rritje reale të fondeve, por vetëm ndryshime teknike që përjashtojnë një pjesë të fermerëve.
Sipas tyre, subvencionet në Shqipëri janë 7–8 herë më të ulëta se në rajon, duke e bërë të pamundur konkurrencën.
“Kërkojmë subvencion si gjithë rajoni. Serbia subvencionon një lopë deri në 1700 euro, Kosova rreth 800 euro për kafshë, Maqedonia e Veriut rreth 900 euro. Si mund të konkurrojmë ne?”, është shprehur një prej përfaqësuesve të blegtorëve.
Fermerët deklarojnë se kostot e prodhimit janë rritur me 30–40%, ndërsa paralajmërimet për ulje të çmimit të qumështit e rëndojnë edhe më tej situatën, duke e bërë mbijetesën ekonomike të vështirë.
Në kërkesat e tyre kryesore përfshihen:
Subvencione të barabarta me rajonin për të garantuar konkurrencë të drejtë.
Naftë pa taksa për fermerët ose rishikim i taksës së qarkullimit.
Ngritja e një laboratori kombëtar për kontrollin e cilësisë së qumështit.
Barazim dhe rishikim i TVSH-së për produktet e shportës, pasi fermerët blejnë me 20% TVSH dhe shesin me 0%.
Formalizim i menjëhershëm i tregut të bulmetit.
Krijimi i një bordi rregullator për çmimet e produkteve blegtorale, sipas tyre i ngjashëm me atë të karburanteve.
Fermerët kërkojnë gjithashtu kufizim të importit të qumështit dhe rritje të mbështetjes për sektorin, duke theksuar se konkurrenca me produktet e rajonit është e pabarabartë për shkak të subvencioneve më të larta në vendet fqinje.
Ata pritet të zhvillojnë një takim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Financave për të diskutuar kërkesat e tyre dhe zgjidhjet e mundshme për krizën në sektor./Versus.al

