
37-vjeçari Diomet Musa, i dyshuar për plagosjen e rëndë me dashje të biznesmenit 52-vjeçar Arben Çipa, i njohur edhe si Sotir Çipa, Kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, është liruar nga gjykata në më pak se 48 orë pas arrestimit.
Diomet Musa, një person me një të kaluar penale dhe i njohur si një figurë problematike në zonë, u paraqit në Gjykatën e Sarandës rreth orës 14:00, ku iu caktua masa e sigurimit “arrest në shtëpi”.
Ai është i dyshuar për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje” në bashkëpunim, pasi thuhet se ka sulmuar brutalizht biznesmenin Arben Çipa rreth orës 16:10 të së premtes, duke përdorur grushta, shkelma dhe sende të forta.
Pas ngjarjes, Musa u fsheh në një banesë në Lukovë, ku u kap nga policia në mbrëmje. Ndërkohë, kushëriri i tij, 29-vjeçari Markelian Musa, ende është në arrati dhe po kërkohet nga autoritetet.
Prokurorja Besiana Sadikaj ka kërkuar cilësimin të ligjshëm të arrestimit në flagrancë të 37-vjeçarit Diomet Musa, por lirimin e tij dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Gjyqtarja Esmeralda Shehu pranoi këtë kërkesë, duke urdhëruar që Musa të mos largohet nga banesa e tij në lagjen nr. 3 të Sarandës. Megjithatë, nuk është bërë e qartë se si është motivuar kjo masë sigurimi nga ana e prokurorisë.
Nga ana tjetër, viktima, Arben Çipa, ka kërkuar ndërhyrjen e shtetit, duke theksuar se Saranda po kontrollohet nga individë të fuqishëm dhe të paprekshëm, të cilët janë pjesë e konflikteve të pronësisë dhe kërcënimeve ndaj qytetarëve./Versus.al







