AKTUALITET /

“Do ketë më shumë hetime pasurore”, Ndoi: Jemi në 'hall', çfarë të bëjmë me pasuritë e sekuestruara

Drejtori i Hetimit të Krimit Ekonomik ngriti edhe problemin e përdorimit të kriptovalutave për të pastruar paratë e ardhura nga krimi.

Shkruar nga Versus
“Do ketë më shumë hetime pasurore”, Ndoi: Jemi
Gentian Ndoi

Ndër strategjitë që pritet të ndërmerren ndaj krimit në vazhdim është edhe hetimi paralel penal dhe pasuror për personat e akuzuar. Kështu u shpreh drejtori i Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar, Gentian Ndoi i cili tha se hetimet pasurore do të mund të kryhen nga institucioni ku ka nisur hetimi për vepër penale dhe jo vetëm nga drejtoria që ai drejton.

Sipas tij, një strategji e tillë do të nisë hetimet pasurore, ndërsa tha se pasuritë e konfiskuara kanë qenë aq të shumta saqë tashmë ka dalë problemi se çfarë do të bëhet me to.

“Rendimenti i konfiskimit të aseteve është goxha i madh. Madje tani kemi kaluar në hallin që kanë pasur shumë shtete europiane, çfarë do bëhet me pasuritë e konfiskuara.  Tashmë hetimin për asetet e ardhura nga krimi, e ka secila strukturë që ndjek veprën e kryer. Kjo do bëjë që rendimenti i procedimeve të nisura për hetim pasuror do jetë shumë i madh. Ka nevojë për ekspertizë dhe trajnim dhe për këtë po hartojmë një plan trajnimi.  Kjo do të sjellë që hetimi pasurir të jetë paralel me hetimin penal”- u shpreh Ndoi.

Më tej sa i takon pastrimit të parave të ardhura nga aktivitete kriminale, drejtori u shpreh se janë shtuar rastet kur paratë pastrohen nëpërmjet kriptovalutave.

“Po krijojmë një qasje të re edhe për kriptovalutat pasi informacionet janë që këto përdoren gjerësisht për të fshehur pasuritë e rjedhura nga krimi dhe për të lehtësuar mundësinë që këto pasuri të pastrohen. Është qasje e re për ne problem që e kanë edhe autoritetet europiane”- shtoi Ndoi. Versus.al

Poll